Daçiq: Kosova nuk mundet të jetë rast specifik dhe i ndarë

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 09:40 | Nga

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha sot se Kosova nuk mund të jetë rast i ndarë dhe specifik, siç e kanë vlerësuar dje zyrtarët e Komisionit Evropian, të cilët thanë se Kosova dhe Katalonja nuk mund të krahasohen.

“Ky është veprim i njëanshëm i Katalonjës, siç ka qenë veprim i njëanshëm ai i Kosovës, ndërsa bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian thonë se Spanja është anëtare e BE-së, por çka nënkupton kjo konkretisht?”, ka thënë Daçiq për televizionin publik serb.

Daçiq ka thënë se Kosova nuk mund të jetë rast i ndarë dhe ajo që i është bërë Serbisë, sipas tij, është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, sikurse është edhe Katalonja në shpërputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Kemi paralajmëruar se kjo është ‘Kutia e Pandorës’ e cila nuk do të përfundojë vetëm me pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar ai, transmeton Koha.net.

Daçiq tha se në rastin e Kosovës është dëshmuar se aktet e njëanshme janë të mundshme dhe gjithçka varet nga fuqitë e mëdha.

Ai ka ripërsëritur se Spanja është mike e Serbisë dhe se përkrah Spanjën e unifikuar. “Nuk duhet përzier në punët e brendshme të Spanjës, dhe nuk na takon neve të vendosim për diçka të tillë. Jemi kundër vendimeve të këtilla sepse nuk është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Duke komentuar faktin se lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), Nenad Çanak, ka qenë në Barcelonë në kohën e referendumit, Daçiq tha se “në Serbi ekziston politika ndëshkuese, sikurse në Bruksel”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme