Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është vështirë të arrihet një marrëveshje me Kosovën, nëse për këtë shqiptarët e kanë kusht njohjen e pavarësisë.
“Nëse ka vullnet politik për të zgjidhur problemin, çdo problem mund të zgjidhet, Serbia dëshiron që të arrijë një marrëveshje me Prishtinën”.
Ai theksoi se Serbia është e gatshme për një kompromis, por ai do të jetë vështirë i arritshëm, njofton Klan Kosova.
“Nëse pala shqiptare mendon se kompromisi është se ne pranojmë aktin e tyre të njëanshme, pavarësinë e vetëshpallur, atëherë marrëveshja është e vështirë”, shkruan B92.
“Nëse dikush mendon se zgjidhja e problemit është që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe jo që të krijohet një kompromis si në rastin e Athinës dhe Shkupit, atëherë është e vështirë që të arrihet një marrëveshje”, ka thënë Daçiq në Forumin e Katërt Ekonomik në Greqi.
Ai gjithashtu paralajmëroi për idenë e formimit të një “Shqipërie të madhe”.
“Në Prishtinë ka 100 herë flamuj të Shqipërisë sesa të Kosovës. Në Prishtinë thuhet se ata nuk e pëlqejnë flamurin e Kosovës, por flamurin shqiptar të tyre”.
Ai tha se shqiptarët nuk mund të jenë një komb në Evropë që të kenë dy shtete.
“Të jemi realistë, ata që e duan Shqipërinë e Madhe le ta formojnë, por jo me serbët”.
Daçiq tha se turqit i kanë dëbuar serbët nga Kosova dhe e kanë islamizuar vendin ku kanë jetuar serbët.