Daçiq: Nuk është kompromis që Serbia ta njohë Kosovën në tërë territorin e saj

Prishtinë | 24 Qer 2019 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se zgjidhja e kompromisit për çështjen e Kosovës nuk mund të nënkuptojë që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës në tërë territorin e saj.

“Për ne tani është e rëndësishme që të gjejmë një zgjidhje kompromisi. Kjo zgjidhje nuk mund të bëhet me detyrim, që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në tërë territorin e saj. Ky nuk mund të jetë kompromis”, tha Daçiq në një konferencë për media të hënën në Beograd, transmetojnë mediat serbe.

Ai tha se Serbia nuk paraqet asnjë pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, porse kërkon të hiqet taksa 100% që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Dialogu midis palëve është ndërprerë prejse Kosova e ka marrë vendimin për këtë taksë në nëntor të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu me Kosovën nuk mund të vazhdojë pa u hequr kjo taksë.

Idenë për ndryshimin e kufijve, si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve, e kanë përmendur më herët edhe udhëheqësit e Kosovës, edhe ata të Serbisë.

Javën e kaluar, u anulua një takim midis përfaqësuesve të të dyja vendeve, i planifikuar të mbahet më 1 korrik në Paris.

Takimi i paralajmëruar ka qenë nismë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

Është e paqartë nëse ky takim do të mbahet në ndonjë datë të mëvonshme, ndërkohë që normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme