Daçiq mburret para Vuçiqit në një tubim zgjedhor: 18 njohje ia kemi hequr Kosovës, mundemi edhe aq

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe zotimi se nuk do ta njohin asnjëherë pavarësinë e saj ishte tema që i dha një hov entuziazmi mbështetësve të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit në një tubim zgjedhor sot në Serbi. 

Daçiq, i cili është kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, e që po garon për të zënë ulësen e kryeministrit në koalicion me presidentin aktual të Serbisë, lavdëroi Vuçiqin duke thënë se në kurrizin e tij peshon barra kryesore, e për të cilën u shpreh i gatshëm që ta ndajë me të.

Ivica Daçiq tha se është krenar “për të gjitha rezultatet që janë arritur në këto 10 vite” në Serbi, por tha se në krye të tyre e radhit pozicion ndërkombëtar ku e vendosën Serbinë, duke bërë fushatë kundër pavarësisë së Kosovës, shkruan B92, transmeton Gazeta Express.

“Ky [Vuçiqi] është politikani që duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve. Së pari – Kosovën, pavarësinë e rreme të së cilës nuk do ta njohim kurrë. Dhe jo vetëm kaq. Ne së bashku bëmë që 18 vende të tërheqin njohjen për pavarësi dhe ne mund të bëjmë shumë më tepër”, tha ai.

Pas Kosovës, Daçiq foli edhe për Republikën Srpska të Bosnjës, për të cilën mori merita se ka bërë shumë dhe tha se është kundër kujtdo që “pretendon se është krijim gjenocidal”.

Daçiq e tregoi edhe për qëndrimin e koalicionit që kanë karshi NATO-s.

“Kur është fjala për NATO-n, ne kemi thënë qartë se nuk duam të anëtarësohemi në NATO, duam neutralitet ushtarak. Dhe ata që na bombarduan janë kriminelë lufte dhe ata do të përgjigjen në një moment. Vuçiq është nën presion të madh për të vendosur sanksione për miqtë tanë, por përgjigjja e tij ishte e plotë: “Ne kemi dënuar shkeljen e integritetit territorial të çdo vendi, por vendosja e sanksioneve ndaj miqve do të ishte vetëvrasja jonë””, tha Daçiq.

Të ngjashme