Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka porositur kryekuvendarin e Kosovës, Kadri Veseli dhe partnerët e saj në Prishti që siç ka thënë ai ” t`i shmangen të shkruarit sepse ato tashmë janë lexuar që një kohë të gjatë”.
Kryediplomati serb në përgjigje të letrës së Veselit drejtuar Kongresit Amerikan ku i është kërkuar që t’i dënojë krimet e Serbisë në Kosovë ka theksuar se “Veseli dhe partnerët e tij me këto letra edhe një herë treguan analfabetizmin fillestar dhe politikë”.
“Ata duan të dënojnë krimet e pretenduara serbe në të kaluarën, përderisa vazhdon terrori kundër serbëve në Kosovë?! bashkatdhetarët tanë arrestohen për t’ua marrë pronën e tyre, i përjashtojnë nga postet ministrore për shkak se e thonë të vërtetën, ndërsa me taksën prej 100 për qind për mallrat serbe po e shkatërrojnë tërë popullin tonë”, tha ai për gazetën Serbe “Novosoti”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ditë më parë i ka dërguar letër Kongresit Amerikan për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit 1998-1999.
Letra i është dërguar së pari Nancy Polosit – Kryetares së Dhomës së përfaqësuesve (Kongresit), dhe Eliot Engel – kryetarit të komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan.
Në këtë letër e cila do t’u dërgohet edhe gjitha Parlamenteve të vendeve mike por edhe Parlamentit Evropian, kryeparlamentari ka përmendur masakrat e shumta dhe krimet e shumta që Serbia ka kryer në Kosovë.
“Është e njohur ndërkombëtarisht se nën regjimin brutal të Sllobodan Millosheviqit, shqiptarët në Kosovë ishin viktima dhe objektiv i një dhune sistematike. Si pasojë, rreth një milion kosovarë, më shumë se gjysma e popullsisë, janë detyruar të largohen nga Kosova, me një gjysmë milioni të tjerë të zhvendosur brenda vendit. Në total, rreth 90 përqind e popullsisë etnike shqiptare u bënë refugjatë ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre ishin 1230 fëmijë, duke përfshirë bebet dhe fëmijë tjerë të vegjël”, thuhet mes tjerash në letrën e Veselit.
Ai ka përmendur edhe fatin ende të pazgjidhur për mijëra persona të zhdukur.