Daka i propozon PZAP-it ta obligojë KQZ-në që ta certifikojë listën e VV-së, pa Kurtin dhe të tjerët të dënuar

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka komunikuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për moscertifikim të listës së kandidatëve për deputetë.

Siç mëson KOHA, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në përgjigjen ndaj PZAP-it, ka propozuar që ankesa e VV-së të aprovohet pjesërisht, duke i certifikuar vetëm kandidatët që i përmbushin kushtet ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të pacertifikuar do mbesin pesë kandidatë të VV-së, përfshirë edhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurtin.

“Ne propozojmë që ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje të aprovohet pjesërisht dhe të obligohet KQZ-ja të certifikojë kandidatët të cilët i përmbushin kushtet ligjore nga neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa të refuzohet sa i përket pesë kandidatëve të cilët nuk i përmbushin kushtet ligjore të këtij neni”, thuhet në letrën e Dakës drejtuar PZAP-it.

KQZ-ja pohon se ka bashkëpunuar me institucionet të cilat kanë rolin e tyre në verifikimin e përputhshmërisë së kandidatëve.

Image


Në këtë letër, KQZ-ja i shkruan PZAP-së se lista e Lëvizjes Vetëvendosjes është hedhur në votim dhe është refuzuar të certifikohet për shkak të pesë emrave.

“KQZ-ja është e vetëdijshme se nga lista prej 110 personave nga ky subjekt politik, janë vetëm 5 persona të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore që të certifikohen si kandidatë për deputetë, por me insistimin e përfaqësuesve në KQZ të këtij subjekti politik, në votim është hedhur e gjithë lista dhe si e tillë është refuzuar të certifikohet për shkak se ajo përmbante edhe emrat e 5 personave të cilët nuk mund të ishin kandidatë për deputetë”, thuhet nga KQZ-ja.

KQZ-ja shkruan tutje se duke u bazuar në kriterin që një person të mos jetë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit, “Gjykata vëren se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk specifikon natyrën e veprës penale dhe sanksionit penal të shqiptuar në mënyrë që një person të diskualifikohet nga mundësia për të qenë kandidat për deputet”.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të martën e ka datën e fundit kur duhet publikuar vendimin lidhur me ankesat e marra nga subjektet politike. VV-ja kishte shtruar ankesë në PZAP më 23 janar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme