Angela Merkel do të mbajë sot një konferencë shtypi pas njoftimit për dorëheqje të lideres së social-demokratëve në përgjigje të disfatës në zgjedhjet evropiane, një largim që e bën edhe më të brishtë koalicionin qeverisës të drejtuar nga kancelarja, ku edhe vetë partia e saj ndodhet në vështirësi.
Politikania tha se do të dorëhiqet nga posti i drejtueses së partisë të hënën, ndërsa si shefe e grupit parlamentar të martën.
Pas humbjes së SPD-së në zgjedhjet evropiane, kritikat vërshuan në drejtim Andrea Nahles.
“Debatet brenda grupit parlamentar dhe reagimet e shumta të partisë më treguan se nuk kam më mbështetjen e duhur për ushtrimin e funksionit tim”, shprehet në një komunikatë për shtyp Nahles, transmeton Koha.net.
Udhëheqësja e parë grua e SPD-së hoqi dorë nga posti dy ditë para një votimi brenda partisë që do të vendoste për të ardhmen e saj. Ajo gjithashtu heq dorë nga mandati i deputetes, sipas një zëdhënësi të partisë.
Në një sondazh të publikuar të shtunën, u mësua se mbështetja për SPD-në ishte në pikën më të ulët ndonjëherë, në vetëm 12%. Në të njëjtën kohë, Të Gjelbrit kanë kaluar konservatorët e CDU-së duke u bërë partia më popullore në Gjermani për herë të parë.
Çfarë nënkupton kjo për koalicionin qeverisës?
Largimi i Nahlesit mund të rrezikojë qeverinë aktuale. Duke reaguar ndaj dorëheqjes së saj, lidershipi i CDU-së bëri thirrje për vazhdim të koalicionit mes partisë së tyre dhe SPD-së – i njohur si koalicioni i madh.
Nëse SPD-ja del nga koalicioni, rënia e qeverisë me gjasë do të nxiste zgjedhje të reja.
Por, krahu i majtë i SPD-së kanë kërkuar nga partia të largohet nga koalicioni që nga momenti kur kanë hyrë në qeveri me Merkelin vitin e kaluar. Ata thonë se kompromisi me konservatorët ua ka humbur mbështetjen atyre.
Olaf Scholz i SPD-së, që është edhe zëvendës-kancelar i Gjermanisë, ka thënë për gazetën gjermane “Tagesspiegel” se ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në një koalicion tjetër të tillë.
“Tri koalicione të mëdha me radhë nuk do t’i bëjnë kurrfarë të mire demokracisë në Gjermani”, ka thënë ai në një intervistë të publikuar të dielën, pak para se Nahles të njoftonte për dorëheqjen e saj.