Dallaveret me prona: Ish-kryeshefi i Prishtina Parking në mesin e të arrestuarve

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeshefi i Ndërmarrjes Prishtina Parking, Liridon Restelica, ndodhet në mesin e të arrestuarve nga aksioni i Prokurorisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, që u zhvillua të enjten në kryeqytet.

Restelica dhe dy të tjerë, Fitim Sertolli dhe Ndriçim Sogojeva janë arrestuar nën dyshime për falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme lidhur me tjetërsimin e pronave, ka raportuar Sinjali.

Ish-kryeshefi i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” dyshohet të ketë qenë në qendër të këtij grupi të strukturuar, në përbërjen e të cilit ndodhej edhe një zyrtar i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Fitim Sertolli.

Ky grup dyshohet se ka bashkëpunuar në një skemë komplekse për manipulimin e dokumenteve pronësore, duke dëmtuar interesin publik dhe privat.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, hetuesit kanë mësyrë katër lokacione të ndryshme, duke përfshirë shtëpitë e të dyshuarve dhe zyrat e Kadastrit në Komunën e Prishtinës.

Gjatë këtyre bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar prova materiale që dëshmojnë stilin luksoz të jetesës dhe mjetet e përdorura për veprimtarinë e dyshuar: Veturë Audi Q7 (2017) – Vlera rreth 40,000 euro, veturë Skoda – vlera rreth 38,000 euro, orë dore Rolex si dhe pajisje teknologjike: 5 telefona, 4 USB, laptop dhe një HDD i jashtëm.

Po ashtu janë sekuestruar edhe dosje të shumta pronësore që dyshohen si pjesë e skemës së manipulimit.

Ky aksion vjen si vazhdimësi e një hetimi që ka nisur muaj më parë.

Më 25 shkurt 2026, për të njëjtin rast ishin arrestuar edhe dy persona të tjerë, Mihajlo Milovanovic dhe Zhelko Jagodic.

Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Të ngjashme