E përditshmja serbe “Danas” shkruan sot se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës është i pashmangshëm, se Kosova po i bashkërendon hapat me fuqitë perëndimore.
Në opinionin e këtij mediumi serb thuhet se fakti që kryeministri serb Aleksandar Vuçiq pretendon të ketë ndalur procesin e themelimit të ushtrisë së Kosovës shkon vetëm në favor të tij dhe të interesave meskine të partisë së tij. Sepse, askush që është politikisht dhe shoqërisht i vetëdijesuar, nuk mund të përfytyrojë një situatë në të cilën Kosova për një kohë jo të gjatë nuk do ta ketë ushtrinë e saj, ashtu siç sot është shtet më vete, transmeton lajmi.net.
Kjo “shtyrje” e bërjes së ushtrisë së Kosovës, mënyra se si Vuçiq thotë se po e jetëson atë, përbën një sjellje jashtëzakonisht të papërgjegjshme politike, duke pasur parasysh se ai po përpiqet që të krijojë opinion publik përkitazi me kundërshtimin e një domosdoshmërie dhe rrethanave të cilat në mënyrë pashmangshme do të pasojnë, në të cilat Serbia nuk do të ketë kurrfarë ndikimi. Frustrimi që po krijohet në shoqëri në këtë mënyrë është shumëfish i dëmshëm, i marrë dhe i panevojshëm, sepse edhe ky proces dukshëm i ngadalshëm dhe pothuajse inekzistent i përballjes me realitetin, e kthen vendin edhe më prapa.
“Kur e përfundova bisedën me Stolltenbergun, gati sa nuk derdha lot nga gëzimi. Kemi punuar shumë për të ndryshuar imazhin e Serbisë, kemi shënuar paksa sukses, ndërkaq sot e përjetova që Stolltenberg të më thotë “të faleminderit, Aleksandar, që keni ruajtur paqen dhe stabilitetin, ju falënderoj për durimin”, ka thënë Vuçiq, pas një bisede telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.
Pse e falënderoi Stolltenbergu Vuçiqin? Për shkak se ai nuk e ka ndërprerë dialogun në Bruksel, nuk i ka ndaluar të gjitha proceset e normalizimit të Kosovës (e ndoshta një ditë vetë do ta njohë Kosovën), sepse nuk ka organizuar trazira dhe djegien e zyrave të përfaqësive të huaja në Serbi?
Tutje në kolumnën e “Danas”-it thuhet se thelbi është se NATO-ja nuk është kundër themelimit të Ushtrisë së Kosovës. NATO, BE dhe SHBA janë plotësisht të përkushtuara për jetësimin e Ushtrisë së Kosovës, dhe mbase kjo është e qartë për çdo qytetar të Serbisë, ashtu sikurse e kanë mbështetur edhe krijimin e Kosovës krejtësisht të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht. Prandaj, konkludon “Danas”, kjo “fitore” e Vuçiqit në fushatën për zgjedhjet presidenciale u kushtohet vetëm budallenjve të cilët për shkak të “fitoreve” të këtilla përcaktohen për Vuçiqin.