Kosova ka shënuar fitoren e katërt radhazi në FIBA European Challenger, duke mundur Shqipërinë 103:46 (24:11, 25:16, 25:12, 29:7).
Kosova e nisi ndeshjen për mrekulli, me një seri prej 9:0, dhe vazhdoi me lojë të mirë gjatë gjithë çerekut të parë, që e fitoi 24:11. Kuqezinjtë ngushtuan shifrat në 28:20, por më pas Dardanët u shkëputën sërish, duke u treguar më të mirë dhe shkuan në pushim të pjesës së parë me rezultat 49:27.
Epërsia e lartë e krijuar nuk i ndali basketbollistët e Kosovës, që vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e tretë, të cilën e fituan 25:12, duke arritur epërsinë më të lartë 74:39, që ishte rezultati pas 30 minutash. Në 10 minutat e fundit, Kosova e thelloi edhe më shumë epërsinë duke triumfuar me rezultat 103:46.
Te Kosova u dalluan Norik Binqe me 22 pikë, 8 kërcime e 7 asistime, Rron Dahsyla me 15 pikë e 11 kërcime dhe Dren Kastrati me 19 pikë.
Kosova ka katër fitore në katër ndeshje, kurse Shqipëria një fitore dhe tri humbje.
Ndeshja e fundit për sonte është mes Luksemburgut dhe Gjibraltarit nga ora 20:00.