DASh: Korrupsioni në drejtësi frenon investitorët e huaj në Shqipëri

Prishtinë | 06 Kor 2017 | 14:22 | Nga

Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për 2017-ën, korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Shqipëri është arsyeja kryesore që ka frenuar investitorët e huaj të vijnë në vend.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë tërmet në drejtësi dhe politikën shqiptare, me reformën në drejtësi. Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për vitin 2017 të klimës së investimeve në Shqipëri, ku theksi është vendosur te korrupsioni dhe reforma në drejtësi, transmeton abcnews.

Sipas raportit, korrupsioni i shfrenuar në drejtësinë shqiptare ka frenuar investitorët e huaj. Prandaj sipas raportit, sytë e të gjithëve janë te reforma. Në raport theksohet se vetingu do nisë të zbatohet dhe të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që janë të korruptuar do të ndëshkohen.

“Reforma në drejtësi është përshkruar si zhvillimi më i rëndësishëm në Shqipëri që nga fundi i komunizmit dhe gati një e treta e Kushtetutës u rishkrua si rezultat i saj. Reforma gjithashtu përfshin ndryshimin e disa ligjeve për të siguruar zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve (vetingu) do të sigurojë që prokurorët dhe gjyqtarët me pasuri të pajustifikuar, aftësi të pamjaftueshme ose që kanë nxjerrë vendime të diskutueshme në të kaluarën, të largohen nga sistemi. Reforma gjithashtu do të krijojë një Prokurori të Posaçme (SPAK) dhe një njësi të specializuar hetimi (Byroja e Hetimit) për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet. Nëse zbatohet plotësisht, reforma gjyqësore do të largojë korrupsionin, do të nxisë investimet e huaja dhe vendase dhe do të lejojë Shqipërinë të konkurrojë më me sukses në ekonominë globale”, thuhet në raportin e DASh.

Më tej deklarohet se problemi kryesor i Shqipërisë është korrupsioni. DASH u referohet disa raporteve, ku thekson se Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara në Evropë.

“Korrupsioni është një problem i vazhdueshëm në Shqipëri, duke minuar sundimin e ligjit dhe duke rrezikuar zhvillimin ekonomik. Shqipëria renditet e 83-ta nga 176 vendet në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2016 (CPI) të Transparency International. Rezultati i Shqipërisë u përmirësua nga 2013 dhe 2014, kur ajo renditej e 116 dhe e 110. Megjithatë, Shqipëria mbetet një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Kalimi nga Parlamenti i amendamenteve kushtetuese në korrik 2016 për reformimin e sistemit gjyqësor ishte një hap i madh përpara dhe reforma sapo të zbatohet do ta bëjë vendin më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë”, thuhet më tej.

Përveç korrupsionit, amerikanët rendisin si problem kryesor në Shqipëri që po ndal dhe investitorët, pronën. Sipas tyre, Shqipëria ende nuk ka mundur ta zgjidhë këtë problem.

“Përkundër dëshirës së deklaruar të qeverisë për të tërhequr investime të huaja, korrupsioni në Shqipëri është endemik, veçanërisht në gjyqësor. Po ashtu, respektimi i pronës private mbetet në nivele të ulëta. Zbatimi i reformës së sistemit gjyqësor ka filluar kohët e fundit, por klima e investimeve mbetet problematike dhe Shqipëria perceptohet si një vend i vështirë për të bërë biznes. Të drejtat e pronës mbeten një tjetër sfidë në Shqipëri, pasi titulli i pronësisë është vështirë të merret. Ka aktorë të paskrupullt që manipulojnë sistemin e korruptuar të gjykatave për të marrë titullin e pronësisë në tokë jo të tyre”, deklaron DASh.

Po ashtu theksohet se problem mbetet dhe korrupsioni në komisionet e prokurimit publik.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme