Kosova vazhdoi t’i kundërvihet kërcënimit gjithnjë në rritje të terrorizmit në vitin 2017, thuhet në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin në botë në vitin 2017.
Ai thekson se rreth 403 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t’iu bashkuar grupit militant Shteti Islamik apo Frontit al-Nusrah, prej të cilëve rreth 74 kanë vdekur.
“Rreth 133 prej këtyre individëve janë kthyer, ndërsa rreth 196 mbeten në këto zona konflikti. Ky numër përfshin 40 fëmijë të lindur nga qytetarë të Kosovës në zonat e konfliktit”, shpjegon raporti.
Gjendja e sigurisë dhe ajo politike në veriun e Kosovës, thuhet tutje, ka vazhduar të kufizojë aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në atë rajon, megjithëse qeveria ka integruar me sukses gjyqtarët, prokurorët dhe stafin serb në institucionet gjyqësore të Kosovës në tetor, duke zgjeruar autoritetin gjyqësor të vendit dhe qasjen në drejtësi për qytetarët.
Raporti nënvizon se kuadri ligjor i Kosovës është i mjaftueshëm për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste, porse prokurorët nuk kanë përvojë në raste të tilla.
Gjatë vitit 2017, thuhet në raport, Qeveria e Kosovës ndërmori hapa aktivë për të përgatitur një strategji riatdhesimi për qytetarët e saj që ktheheshin nga zonat e konfliktit.