Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis është shndërruar në një show-man të vërtetë gjatë këtyre ditëve të merkatos.
Kreu napolitan është rikthyer të flasë sërish për transferimin e Cristiano Ronaldos te Juventusi, duke e cilësuar më tepër si një lëvizje komerciale sesa sportive.
“Ronaldo te Juventusi, ishte një gjetje e bukur nga ana komerciale. Tashmë bardhezinjtë kanë përmirësuar imazhin e tyre dhe do të mund të afrojnë më shumë sponsorë, por të shpenzosh një shifër të atillë për një 34-vjeçar, duket e paimagjinueshme. Gjithsesi në fund do të shohim, nëse benefitet e Juves do të jenë më të mëdha në aspektin komercial, apo edhe atë sportiv”, tha Laurentiis, transmeton tch.
De Laurentiis foli edhe njëherë për propozimin që iu bë Napolit, për të marrë shërbimet e Ronaldos, para se të dilte në skenë Juventusi, ndërsa tregoi edhe arsyet pse nuk u finalizua ky transferim.
“Kur Mendez më ofroi Ronaldon dhe më tregoi për kostot, i thashë se do ta blija, nëse binim dakord që 250 milionë eurot e para që do të vinin nga marketingu, do t’i përfitonte Napoli dhe të tjerat më pas, futbollisti. Më pas erdhi Juventusi, që vendosi të rrezikojë…”, tregoi De Laurentiis.
Napoli po stërvitet nën drejtimin e Carlo Ancelottit, por shumë tifozë ankohen nga mungesa e blerjeve të mëdha në merkato. Vetë presidenti i të kaltërve thekson se në grup ka tashmë lojtarë të mëdhenj, ndërsa zbulon edhe kushtin me të cilin e la të lirë Maurizio Sarrin.
“Ankohen pse nuk po blejmë lojtarë të mëdhenj, por ne i kemi tashmë në grup lojtarët e mëdhenj. Mjafton të shikoni se klubet e tjera janë gati të bëjnë çmenduri për të marrë disa prej lojtarëve tanë. Kur firmosa lirimin e Sarrit, nënshkruam një marrëveshje, që ai nuk do të prekte asnjë nga lojtarët e Napolit, përveç Jorginhos”, u shpreh De Laurentiis.