Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të premten ka pasur debat mes anëtarëve lidhur me rendin e ditës, përfshirë edhe shqyrtimin e kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve, raporton Ekonomia Online.
Gjatë diskutimit, anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, ka kërkuar që kjo çështje të jetë pika e parë e rendit të ditës, duke kërkuar përgjigje se pse trajtimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb është vonuar për kaq gjatë.
“4 vite kanë pritur do të duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës. Me qenë se prej dorëheqjes së tyre ata janë mbajtur në sitë pa ndonjë bazë. KGJK është dashur që të vendos moti këtë çështje”, tha Hyseni.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, është përgjigjur se nuk mund të japë përgjegjësi për këtë çështje, pasi sipas tij, ai është emëruar së fundmi në pozitën e kryesuesit.
Ndërkohë, në mbledhje është propozuar që pika e dytë e rendit të ditës, “Zgjedhja e Zëvendës Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, të shtyhet për një mbledhje tjetër, për shkak të mungesës së anëtares Afërdita Bytyçi.
Po ashtu, është propozuar shtyrja e pikës për “Shqyrtimin e mandatit të anëtarëve të Komisioneve të përhershme të KGJK-së”.
Anëtari Artan Abazi ka kundërshtuar shtyrjen e kësaj pike, duke kërkuar që komisionet të funksionalizohen.
“Pse sot nuk po bëjka të funksionalizohet këshilli. Unë propozoj që fare të mos hiqet”, tha Abazi.
Ndërsa anëtari Ahmet Imami ka thënë se në mbledhjet e kaluara ishte propozuar themelimi i komisioneve, por ishte pritur që anëtarët e rinj të bëheshin pjesë e tyre.
Ai po ashtu deklaroi se është çështje e interesit nacional trajtimi i pikës së rendit të ditës, për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarvëe që sipas tij do duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës.
“Meqenëse jemi vonuar edhe katër vite, është interes nacional që ato dorëheqje kanë dhënë afatin e tyre”, tha ai.
Në mbledhjen e kaluar ne kemi propozuar që të themelohen komisionet, por me qëllim që t’i presim anëtarët e rinj që ata të jenë pjesë e komisioneve. Me qenë se gjyqtarja nuk është këtu, unë propozoj që ajo pikë e rendit të ditës të hiqet që t’ia mundësojë edhe asaj që të jetë. Unë mendoj që është dashur që të jetë pika e parë (pika e 9 për dorëheqjen e gjyqtarëve serbë). Pajtohem që jemi vonuar, ato dorëheqje e kanë dhënë efektin e tyre”, tha Imami.
Në vijim të debatit, kryesuesi Thaqi i është përgjigjur Hysenit, duke i kërkuar që të mos e keqpërdorë pozicionin në prani të publikut.
“Nuk mund të më mbash përgjegjës. Mos të keqpërdorim pozicionin në prani të publikut”, tha Thaqi.
Hyseni i është kundërpërgjigjur duke thënë se kryesuesi duhet të japë përgjigje për çështjen.
“Je kryesues dhe duhesh me ditë. Nëse drejtësia duhet t’i shërbejë vetëm drejtësisë, nëse i shërben qëllimeve tjera nuk quhet drejtësi”, tha Hyseni.
Ndërsa Thaqi është përgjigjur se do të jetë i përkushtuar në kryerjen e detyrës së tij.
“Do të jem i përkushtuar që të kryej detyrën time. Por jo duke i shërbyer agjendës ditore”, tha kryesuesi.
Pas kësaj, për shkak të përplasjeve verbale mes anëtarëve Ahmeti Imami dhe Bashkimn Hyseni, kjo mbledhje u ndërpre.
Gjyqtarët nga komuniteti serb kishin dhënë dorëheqje në nëntor 2022.
Në mbledhjen e mbajtur më 20.07.2026, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte refuzuar kërkesën e ish-prokurorëve nga komuniteti serb dhe stafit të tyre mbështetës për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës.
Ish-prokurorët nga komuniteti serb kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

