Deçanasit të shqetësuar nga varrosja e lopëve të ngordhura

Prishtinë | 11 Sht 2016 | 15:44 | Nga

Më shumë se 20 lopë të ngordhura nga sëmundja e gungave janë varrosur nga autoritetet komunale në lagjen “Podi i Gështenjave” të Deçanit. Banorët ankohen nga frika se mund të marrin ndonjë sëmundje.

Varrosja e lopëve të ngordhura afër shtëpive të tyre ka ngjallur shqetësim te banorët e lagjes “Podi i gështenjave” të Deçanit.

Rexhep Lokaj, banor i lagjes, tha për KALLXO.com se shqetësimi është edhe më i madh kur dihet se lopët që janë varrosur aty kanë ngordhur për shkak të sëmundjes gungore.

“Ma e keqja është se gjaja (kafshët) që po ngordhin nga sëmundja e gungave i kanë pru qetu edhe i kanë gjujtë. I kanë mbulu me një sasi të dheut e cila nuk i përmbush kriteret e kurrëçkafit”, tha Lokaj për KALLXO.com

Ai thekson se të gjithë banorët janë të brengosur sepse, sipas tij, kjo lagje nuk është adekuate për varreza të kafshëve të ngordhura.

Të njëjtin shqetësim e ka edhe banori tjetër i lagjes “Podi i gështenjave”, Blerim Malaj.

Për KALLXO.com ai tha se kjo pjesë e qytetit që nga paslufta shfrytëzohet si deponi ilegale mbeturinash. E varrosja edhe e lopëve të ngordhura në këtë hapësirë është kulmi i të këqijave.

“Shqetësimi më i madh është nga këto lopët e ngordhura nga sëmundja e gungave. Ato janë hedhur dhe varrosur pa kritere, vetëm i kanë hedhur dhe i kanë mbuluar me dhe”, tha ai.

Sipas tij, te “Podi i gështenjave” ka banues përreth dhe ka rrezik që ata të marrin ndonjë sëmundje.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë thanë se për shkak të gjendjes alarmante të krijuar nga prekja dhe ngordhja e lopëve nga sëmundja gungore është themeluar shtabi emergjent në Komunën e Deçanit.

Kryesuesi i këtij shtabi, Jashar Hulaj, tha për KALLXO.com se shtabi emergjent ka vendosur që lopët e ngordhura nga sëmundja gungore të varrosen.

Sipas tij te “Podi i gështenjave” lopët janë varrosur sipas kritereve.

“Sa i përket ankuesve mund të them me përgjegjësi të plotë se aty ku kemi bërë groposje në distancë 500 metra nuk ka vendbanim as në anën e epërme as në atë të poshtme të atij lokacioni. Kështu që ndoshta kanë të drejtë edhe për ankesë, por forma dhe mënyra që kemi ndërmarrë ne na duket që ka qenë pak a shumë më perfektja”, tha Hulaj.

Sipas udhëheqësit të shtabit emergjent në vendin në fjalë janë varrosur mbi 20 krerë lopë të ngordhura, të cilat janë futur në gropë tri metra të thellë.

Ai po ashtu tha së varrosja e lopëve të ngordhura është zgjidhja më e mirë për të parandaluar më të keqen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme