Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka dorëzuar një projekt-rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë dhe institucione tjera lidhur me gjenocidin e Serbisë të kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri u ka dërguar të gjithë deputetëve të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Akademisë së Shkencave, Avokates së Popullit dhe partive politike në Shqipëri propozimin për projekt-rezolutën mbi gjenocidin serb të kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës, pasi besojmë se kjo është një çështje që i tejkalon dallimet partiake dhe për të cilën nevojitet unitet kombëtar. Kjo projekt-rezolutë vjen pas kërkesës zyrtare të depozituar në institucione në datën 12 nëntor 2020”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.
Pikat kryesore të kësaj projekt-rezolute janë:
Caktimin e datës 15 Janar, ashtu siç ka vepruar edhe Kosova, si “Dita e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ngritjen e një memoriali në Tiranë, si dhe protokollin përkatës shtetëror për aktivitetet e kësaj date në koordinim me autoritetet e Republikës së Kosovës.
Ndryshime në Kodin Penal në lidhje me çështjen e gjenocidit, si dhe përshtatja e kurrikulave shkollore për edukimin e brezave që vinë.
Ndërkombëtarizimin e çështjes së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe ndërqeveritare, marrë parasysh faktin se Kosova ende nuk është anëtare në shumë prej tyre.