Në Kazermën ,,Skënderbeu’’ të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), për një vizitë zyrtare qëndroi, dekani i Akademisë Ushtarake të Republikës së Maqedonisë, kolonel Orce Popovski me bashkëpunëtorët: kolonel Aleksandar Glavinov, zëvendës dekan për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe kolonel Donce Kuzmanov, atashe ushtarak i Maqedonisë i akredituar për Republikën e Kosovës.
Ushtarakët nga Forcat e Armatosura të Maqedonisë u pritën nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, zëvendës komandanti, kolonel Irfete Spahiu dhe stafi i KDS-së.
Në takimin e përbashkët të dy delegacioneve u bisedua për bashkëpunimin që ka FSK-ja me Ushtrinë e Maqedonisë e konkretisht me Akademinë Ushtarake, ku kadetët nga Kosova po studiojnë në këtë akademi, si dhe këtë vit kanë diplomuar edhe kadetët e parë, oficerë nga radhët e komuniteteve pakicë serb dhe boshnjak.
Me këtë rast, KDS ka zhvilluar një prezantim informues për kushtet dhe trajnimet të cilat i ofron KDS-ja dhe është biseduar për mbështetjen reciproke në trajnime të përbashkëta.
Vizita e delegacionit nga Republika e Maqedonisë ka vazhduar në Qendrën për Studime Universitare(QSU), në kazermën ,,Adem Jashari’’ në Prishtinë, me qëllim për të parë nga afër kushtet dhe standardet të cilat përgatiten për jetën ushtarake kadetët tanë, oficerët e ardhshëm të FSK-së.
Në QSU, delegacioni maqedonas u prit nga major Avni Kiqina, komandanti i Qendrës për Studime Universitare të FSK-së, i cili me këtë rast bëri një prezantim të punës dhe aktiviteteve të Qendrës si dhe kushtet dhe kapacitetet që ofron QSU-ja për shkollimin e oficerëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.