Miratimi i një deklarate politike, e cila do t’i bënte ftesë Bashkimit Evropian që t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës, për analistët për çështje politike, konsiderohet e vonuar dhe pa ndonjë efekt konkret.
Deputetët e partive politike në pushtet dhe ata të opozitës, të premten nuk ka kanë arritur të merren vesh rreth kësaj draft-deklarate, dhe për shkak të mospajtimeve, deklarata është tërhequr nga rendi i ditës.
Deklarata e përbashkët, ishte paralajmëruar se do t’i drejtohej Bashkimit Evropian me kërkesën që qytetarëve të Kosovës t’u hiqeshin vizat dhe të mos mbeten peng i vendimit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Iniciativa e Kuvendit të Kosovës për të miratuar këtë deklaratë është e vonuar, thotë Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Ai thotë se Komisioni Evropian, tashmë ka paraparë si kusht për liberalizimin e vizave, ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit të Malit të Zi.
“Edhe duke pasur parasysh fuqinë juridike të deklaratës apo rezolutës, ajo nuk mund të obligojë Bashkimin Evropian ta marrë dhe ta heqë kushtin e demarkacionit si të tillë. Ajo çfarë ka mundur të bëjë Kuvendi, ka qenë ta përçojë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës te Bashkimi Evropian se kushti për demarkacionin është i padrejtë”.
“Mirëpo unë druaj që është pak vonë, që të ndryshojë çështja e demarkacionit, pasi kemi parë edhe polarizimin e skajshëm të partive politike që i kanë kontribuar më tepër ndarjes, jo vetëm skenës politike të brendshme, por edhe ka përçuar mesazhe negative jashtë në BE”,thotë Murati për Radion Evropa e Lirë
Në anën tjetër, Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron se përpjekja për miratimin e kësaj deklarate, është vetëm një justifikim i faktit, që Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
“Faktikisht, ajo deklaratë nuk është asnjë kusht apo diçka që po kërkohet nga ne, që të mundemi të lëvizim lirshëm në zonën Schengen. Pra, kjo ka qenë më shumë një justifikim i faktit që nuk kanë mundur të ratifikojnë marrëveshjen për Demarkacionin.Dhe, mendoj se pesha e saj është zero”.
“Nëse zyrtarët e Qeverisë dhe ata të institucioneve të Kosovës, dëshirojnë të ndryshojnë kushtin për demarkacion, apo të blejnë kohë, ata duhet të shkojnë të bisedojnë me shtetet anëtare dhe me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian,për të parë nëse kjo është e mundur”, vlerëson Muharremi.
Përveç mosmiratimit të kësaj deklarate, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se puna e përgjithshme në Kuvendin e Kosovës, më shumë se një vit nuk është efektive, pasi nuk po arrihet përmbushja e agjendës legjislative, ashtu siç është paraparë.
Instituti Demokratik i Kosovës, është organizata e vetme joqeveritare, e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës. Artan Murati nga kjo organizatë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës është përballur me shumë sfida dhe me një funksionim të dobët.
“Viti 2016, deri më tani, njihet si vit jo efikas i punës se Kuvendit të Kosovës. Dhe ky është vetëm një reflektim i asaj që ka ndodhur që nga fillimi i vitit. Ne nuk duhet të marrim si pikënisje mosaprovimin e kësaj deklarate, por mund ta marrim edhe numrin e përgjithshëm të ligjeve që janë miratuar në Kuvend. Është një numër jashtëzakonisht i vogël”, thotë ai.
Sipas këtij instituti, Qeveria e Kosovës për vitin 2016 kishte paraparë të sponsorizojë 87 ligje, mirëpo deri në fund të muajit tetor në Kuvend ka dorëzuar vetëm 28 prej tyre, ose 32 për qind të projektligjeve të planifikuar për procedim në Kuvend.
Kurse edhe 59 projektligje të tjera mbeten për t’u dorëzuar deri në fund të këtij viti.(REL)