Edukata Gjithëpërfshirëse Seksuale (EGjS) është mjet i bazuar në dëshmi shkencore për shëndetin, sigurinë dhe barazinë, duke fuqizuar të rinjtë të bëjnë zgjedhje të informuara, të mbrohen nga abuzimi, dhe të zhvillojnë marrëdhënie të bazuara në respekt të ndërsjellë. Dëshmitë shkencore tregojnë se EGjS e përshtatur sipas moshës çon në praktika më të sigurta, në shtyrjen e fillimit të aktivitetit seksual, në uljen e infeksioneve seksualisht të transmetueshme te të rinjtë, në uljen e shtatzënive në adoleshencë, zvogëlimin e dhunës me bazë gjinore dhe faktorëve të rrezikut për depresion, si dhe mundëson kuptimin e plotë të konceptit të pëlqimit dhe autonomisë trupore. EGjS e përshtatur sipas moshës pajis nxënësit me aftësi jetësore dhe njohuri për sigurinë e tyre, për të njohur emocionet dhe për të kuptuar parimet bazë të respektit dhe barazisë gjinore.
Ditëve të fundit ka pasur diskutime të shumta lidhur me EGjS në sistemin arsimor. Në këtë kontekst, UNFPA dëshiron të ritheksoj se EGjS është një komponentë jetike e sistemit arsimor e cila bazohet në dëshmi shkencore. EGjS është përfshirë në sistemin arsimor në përputhje me prioritetet e reflektuara në pjesë të ndryshme të legjislacionit dhe strategjive të Kosovës që adresojnë shëndetin, të drejtat dhe mirëqenien e të rinjve, duke përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues. Përfshirja e EGJS në sistemin arsimor, e rekomanduar gjithashtu nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës, praktikohet në vendet e Bashkimit Evropian dhe në botën e zhvilluar.
Që nga viti 2016, UNFPA ka mbështetur Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) për të hartuar doracakët e EGjS për mësimdhënës, duke reflektuar përkushtimin e institucioneve për të avancuar shëndetin dhe të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët.
Doracakët në fjalë për mësimdhënës janë bazuar në konceptet e përshkruara në standardet e Zyrës Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropë dhe Qendrës Federale për Edukim Shëndetësor/Die Bundeszentrale für gesundheitliche Aufklärung (BZgA): “Standardet për Edukatën Seksuale në Evropë,” kornizë e dizajnuar për politikëbërësit, autoritetet arsimore dhe shëndetësore, si dhe specialistët. Këto standarde bazohen në Udhëzimet Teknike Ndërkombëtare për Edukimin Seksual (të zhvilluara nga UNESCO, UNFPA, UNAIDS, UNICEF, OBSH dhe UN Women).
Është vërejtur se disa pjesë të doracakëve të EGjS për mësimdhënësit përmbajnë shpjegime të kufizuara për disa aktivitete mësimore në klasë, gjë që mund të ketë kontribuar në keqkuptime lidhur me përmbajtjen e synuar edukative dhe arsimore.
UNFPA shpreh gatishmërinë për të mbështetur MASHT-in në rishikimin dhe korrigjimet e nevojshme, për të siguruar që të gjitha materialet të jenë gjithëpërfshirëse, të sakta shkencërisht, të përshtatshme për kulturën dhe moshën, dhe të lehta për t’u kuptuar, siç është synuar.