Gjyqtari i katërt në ndeshjen ndërmjet Istanbul Basaksehirit dhe Paris Saint-Germainit që është akuzuar për përdorim të gjuhës raciste, Sebastian Coltescu, ka thënë se kushdo që e njeh e di se nuk është racist.
Zyrtari rumun ka folur për herë të parë pas incidentit të të martës mbrëma që pasoi me shtyrjen e vazhdimit të ndeshjes në Ligën e Kampionëve.
Ai është cituar të ketë thënë: “Ala negru” që përkthyer në shqip do të thotë “Ky zezak”, kur është pyetur nga gjyqtari kryesor, Ovidiu Hategan, se cili trajner duhej ndëshkuar me të kuq. Me këto fjalë, ai i është referuar asistent-trajnerit të Basaksehirit, Pierre Webo.
Mirëpo, në një bashkëbisedim me të afërmit e tij që të mërkurën është publikuar në mediat rumune, Coltescu e ka mbrojtur karakterin dhe bindjet e tij.
“Unë përpiqem të jem i mirë. Nuk do të lexoj lajme në media këto ditë. Kushdo që më njeh e di se nuk jam racist! Së paku kështu shpresoj”, citon gazeta sportive rumune, ProSport, fjalët e Coltescut – ndërsa transmeton Daily Mail.
Në ndërkohë, UEFA ka nisur një hetim lidhur me ndeshjen, e cila do të rifillojë sot (e mërkurë) nga minuta kur ishte ndalur.
Ndërkohë, në bazë të nenit 3 dhe 14 të Kodit Disiplinor të UEFA-s mund të dënohen edhe gjyqtarët lidhur me veprimet e tyre ofenduese. Në bazë të tyre, kushdo që ofendon dinjiteti njerëzor të dikujt tjetër duke përfshirë ngjyrën e lëkurës, racën, religjionin, origjinën etnike, gjininë ose orientimin seksual, mund të dënohet së paku 10 ndeshje ose për një periudhë të caktuar.