Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për falsifikim të dokumentit zyrtar

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari për falsifikim të dokumentit zyrtar, Latif Ibrahimi, është deklaruar i pafajshëm në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda.

Deklarimin rreth fajësisë për veprën penale që i vihet në barrë, i akuzuari Ibrahimi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shkelzen Ibrahimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Kushtrim Shyti e njoftoi të akuzuarin se i njëjti mund të ushtrojë kërkesë për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 korrik 2020, Latif Ibrahimi akuzohet se më 3 dhjetor 2017, në zyrën e Gjendjes Civile në Fushë Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në cilësinë e personit zyrtar te Gjendjes Civile, në regjistër ka shënuar të dhëna të rreme, me qëllim që të pandehurit Marjan Veljiçkoviq t’ia mundësojë marrjen e dokumenteve personale të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas aktakuzës Ibrahimi ka bërë ndërhyrje në sistemin elektronik të gjendjes civile duke përdorur të dhënat personale të Marjan Veliçkoviq, ashtu që ka bërë rishkrimin e lindjes respektivisht gjenerimin e numrit personal të dëshmitarit, kjo duke shtuar shkronjën J në mbiemrin e të njëjtit dhe të prindërve të tij – Veljiçkoviq.

Në aktakuzë thuhet se me ndryshmin e tillë në sistemin elektronik të gjendjes civile automatikisht është gjeneruar numër i ri personal për të pandehurin Marjan Veljiçkoviq por të dhënat e tjera kanë mbetur të njëjta me ato te dëshmitarit, me të cilin rast të pandehurit Marjan Veljiçkoviq i është mundësuar të pajiset me letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni  434, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme deri në 5 vite burgim.

Të ngjashme