Në seacën fillestare të së mërkurës në Gjykatën Themelore të Pejë, Dega në Klinë, i akuzuari Eraj Temaj, u deklarua i pafajshëm përballë akuzës për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit kishte vdekur 22-vjeçari J.T.
Deklarimin lidhur me fajësinë, i akuzuari Temaj e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, gjyqtarja Sabrije Rraci, të akuzuarin Temaj dhe mbrojtësin e tij, avokatin Flamur Kelmendi i udhëzoi që kanë afat prej 30 ditësh për kërkesën e kundërshtimit të provave dhe hudhje të akuzës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Eraj Temaj, po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.
Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit.