Delawie: BE duhet të heqë dorë nga barazimi i fajit, në rastet kur Serbia ka më shumë faj

Prishtinë | 02 Jan 2023 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian duhet të heqë dorë në mënyrë imediate nga qasja ku bënë përgjegjës të barabartë Kosovën dhe Serbinë, kur në të vërtetë Beogradi zyrtar për një rast të caktuar është shumë më fajtor, thotë në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Diplomati Delawie i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-ve në Kosovë për një periudhë tre vjeçare mendon se BE-ja në situatën e Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë levat në dorë e ta fus dialogun në binarë, stacioni i fundit i së cilës është zgjidhja e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi.

Më 18 shtator Albanian Post publikoi pjesërisht dokumentin i cili përmban kornizën e re franko-gjermane, i cili më vonë u pagëzua si propozim i BE-së. Ndërsa më 12 nëntor publikoi dokumentin në fjalë në tërësi.

Delawie, i cili tashmë ligjëron lëndën e diplomacisë në Universitetin “George Mason”, thotë se e ka parë propozimin franko-gjerman të publikuar nga Albanian Post, plan që propozon zgjidhje sipas modelit të dy-Gjermanive.

Ai thekson se gjithmonë ka besuar që pikërisht Marrëveshja e Dy Gjermanive, ka mundur të ofrojë një model të dobishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi.

Intervista e plotë e Greg Delawie:

Tash kur është krijuar një distancë nga koha që keni shërbyer si ambasador në Kosovë, në një reflektim tuajin, çfarë mendoni se janë të arriturat më të mëdha të Kosovës qysh nga paslufta, por edhe ngecjet më të mëdha?

Arritja më e madhe e Kosovës në periudhën e pasluftës është padyshim krijimi i saj, në më pak se një dekadë, i një vendi vërtet demokratik në atë që kishte qenë pjesa më e varfër dhe më pak e zhvilluar e Jugosllavisë. Ndërsa Kosova duhet të vazhdojë të punojë për të përsosur kredencialet e saj demokratike, veçanërisht duke pasur parasysh se ajo aspiron të anëtarësohet në NATO, është e pamundur të mohohet se ka bërë një rrugë të gjatë, kryesisht falë energjisë së qytetarëve të saj, së bashku me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe vendet e tjera që duan ta shohin atë të ketë sukses.

Sfida më e madhe për vendin vazhdon të jetë vendosja e një Sundimi të vërtetë të Ligjit. Korrupsioni endemik është i pranishëm në të gjithë sektorët; do të vazhdojë ta mbajë vendin prapa. Është e trishtueshme të shohësh Kosovën që mbetet prapa të gjithë fqinjëve të saj në Indeksin e Demokracisë së Freedom House. E di që qeveria aktuale po ndërmerr hapa për të luftuar korrupsionin, por suksesi i përhershëm do të kërkojë shumë vite përpjekje reale nga qeveritë e njëpasnjëshme, me mbështetjen e fortë të qytetarëve të Kosovës.

Cili është mendimi juaj për problemin e Kosovës me Serbinë, a besoni se BE ka kapacitetin e mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë problem?

BE-ja mund ta zgjidhë problemin, por ajo duhet të heqë dorë nga zakoni i saj i ‘bothsides-ism’ që i trajton masat serbe si grumbullimi i forcave ushtarake përgjatë kufirit të Kosovës në të njëjtën kategori si Kosova që kërkon targa të ligjshme për makinat brenda territorit të saj.  Ajo gjithashtu duhet të rindërtojë kredibilitetin e saj në Kosovë pas refuzimit të saj në vitin 2018 për të zbatuar liberalizimin e premtuar të vizave për qytetarët e Kosovës. Thënë kjo, unë kam besim në aftësinë e diplomatëve të BE-së për të zhvilluar zgjidhje kreative për problemet e nyjëzuara.

Çfarë mendoni për propozimin e fundit frnako-gjerman, a besoni se ofron zgjidhjen e shumë pritur dhe a besoni se Kosova dhe Serbia do ta pranojnë?

Ndërsa unë e di këtë propozim vetëm nga gazetat, kam menduar prej kohësh që Marrëveshja e Dy Gjermanive mund të ofrojë një model të dobishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi. Elementi kyç për mua, përveç një marrëveshjeje për një paqe të qëndrueshme, është që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, gjë që do t’i lejojë asaj të marrë pjesë në të gjitha institucionet kyçe shumëpalëshe politike, të sigurisë dhe ekonomike në të njëjtën bazë si çdo vend tjetër në botë. Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do të jetë thelbësore të sigurohet që ai të mos kapet nga qeveria serbe në të njëjtën mënyrë që Serbia ka marrë vendet e caktuara nga serbët e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Në kohën tuaj sa ishit ambasador në Kosovë, nga John Bolton ishte mbështetur edhe një propozim për shkëmbim territoresh. Bolton në një intervistë për ne, ka thënë se besonte në atë propozim se ai vinte nga palët dhe se në bindjen e tij nuk zgjidhet ndryshe problemi Kosovë – Serbi, përveçse me propozime që vijnë nga vetë palët e jo nga jashtë. A ndani të njëjtën bindje edhe ju?

Nuk besoj se propozimi për shkëmbimin e territoreve kishte ndonjë shans për të kaluar në Kuvendin e Kosovës, kështu që nuk mendoj se mund të karakterizohet në mënyrë të drejtë si i dalë nga Kosova. Mendoj se ka kaluar koha për ndryshimin e kufijve të vendeve në Ballkan. Në vend që të përpiqemi të ndërhyjmë në kufijtë, ne duhet të fokusohemi në përmirësimin e jetës së të gjithë njerëzve nga çdo grup që jetojnë sot brenda kufijve të Kosovës.

Dialogu i BE-së ka ngecur vitet e fundit, për mendimin tim, sepse është mbështetur te Kosova dhe Serbia për të vendosur agjendën. Mendoj se është koha për të braktisur këtë paradigmë dhe për të përdorur një qasje më direkte, ku Bashkimi Evropian vendos agjendën për bisedimet Kosovë-Serbi dhe përpiqet të negociojë rezultate pozitive bazuar në agjendën e tij, duke përdorur karotat dhe shkopinjtë e duhur sipas nevojës. Nëse kjo është ajo që po ndodh me propozimin e përfolur franko-gjerman, unë jam i lumtur ta shoh atë.

Shënim: “Both sides-ism” ose “False Balance” që në gjuhën shqipe i bie dyanësi respektivisht balancimi i rremë është një tendencë ku një person ose një institucion si p.sh., – BE’ja- përpiqet t’ju bëjë të besoni se të dyja palët janë njëlloj përgjegjëse për diçka, edhe pse njëra palë në të vërtetë ka më shumë faj.

Të ngjashme