Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Greg Delawie ka vizituar Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK).
Në selinë e KPUK-ut Ambasadori Delawie u prit nga kryetari Pastor Driton Krasniqi me anëtarët e Këshillit të Shërbestarëve pastorët Femi Cakolli dhe John Chesnut.
Ambasadori u interesua për fushëveprimin, angazhimin e Komunitetit Protestant në shoqërinë kosovare dhe marrëdhëniet mes KPUK-ut me shtetin dhe rolin e saj në vendin tonë.
Nikoqirët e njoftuan ambasadorin me traditën 200 vjeçare të kishës protestante ndër shqiptarë duke përmendur me theks të veçantë angazhimin e pastorëve vendorë dhe misionarëve amerikanë në thirrjen dhe organizimin e Kongresit të Manastirit dhe hapjen e shkollave shqipe dikur dhe sot.
Mysafirët u njoftuan me angazhimin e komunitetit protestant për ndërtimin e Kosovës si shoqëri e hapur si dhe lidhjet tradicionale dhe zhvillimin e marrëdhënieve të zgjeruara të Kosovës me shoqëritë perëndimore.
Kryetari Pastor, Driton Krasniqi, nënvizoi pengesat që komuniteti protestant ndesh në mosmarrjen e lejeve të ndërtimit për objektet kishtare si dhe shprehu shqetësimin e tij për mospërfilljen që po hasin nga komunat për ndarjen e parcelave për varreza të Kishës Protestante.
“Mosmiratimi i amendamenteve të Ligjit për Lirinë e Fesë ka sjellë pengesa për komunitetin tonë dhe për të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë”, nënvizoi Pastor Krasniqi.
Ambasadori Delawie theksoi se Qeveria e SHBA-ve angazhohet vazhdimisht për promovimin e lirisë fetare dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.