Ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se Kosova mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian (BE) vetëm nëse ka gjykata të pavarura dhe të pakorruptuara, raporton Ekonomia Online.
“Kosova e ka vetëm një të ardhme evropiane, nëse gjykatat janë të pavarura e pa korrupsion dhe nëse i përmbahen Kushtetutës”.
Sipas tij, korrupsioni vazhdon të mbetet problem në Kosovë, sidomos në prokurimin publik, i cili po pengon investimet e ofrimin e shërbimeve më të mira komunale për qytetarët.
“Kemi korrupsion në prokurim publik që pengon investimet, shërbimet komunale. Në këtë fushë puna juaj është jetike”, tha Delawie.
Delawie në konferencën e organizuar nga koalicioni i OJQ-ve për të shpalosur ndikimet e raportimeve të rasteve në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2017″, shtoi se vullneti politik dhe mbështetja e Qeverisë janë thelbësore për të arritur rezultate në luftimin e kësaj dukurie.
“Vullneti politik dhe mbështetja e Qeverisë janë thelbësore për të arritur rezultate”.
“Në Luftën kundër korrupsionit do të vazhdojmë të ofrojmë ekspertizën dhe mbështetjen tonë për të gjithë ata që ndajnë mendimet e njëjta dhe që mendojnë se luftimi i korrupsionit është jetik për një vend”.
Nora Latifi- Jashari, nga Instituti GAP ka theksuar dy temat që ky institut i ka trajtuar gjatë javës së korrupsionit, njëri prej tyre është udhëzimi administrativ i dalë nga Ministria e Infrastrukturës (MI) për homologimin e veturave.
Ndërsa, Albulena Ndreçaj, nga Organizata INPO, sqaroi se kanë publikuar dy raporte për keqpërdorim të parasë publike përmes prokurimit publik në Mitrovicë dhe Ferizaj.
“INPO ka publikuar dy raporte për keqpërdorim të parasë publike përmes prokurimit publik në Mitrovicë dhe Ferizaj. Diskriminimi i operatorëve ekonomik, tejkalim të kufizimeve buxhetore, mos zbatim të kontratave, kontrata të kundërligjshme”.