Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të kërkojnë që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të jetë një që buron nga palët në negociata, por kjo nuk do të thotë se Washingtoni do të pranojë gjithçka që vjen nga presidentët Thaçi e Vuçiq.
Kështu ka thënë ambasadori amerikan Greg Delawie, në një intervistë për “Kohën Ditore”, e cila do të botohet e plotë në edicionin e së hënës.
“Ne nuk kemi thënë se do të pranojmë gjithçka. Ne kemi thënë se do ta shqyrtojmë zgjidhjen e propozuar dhe se do të shprehim shqetësimet tona nëse do t’i kemi”, ka thënë Delawie.
Më tutje, ai ka theksuar se edhe “zgjidhja duhet të jetë e qëndrueshme, e pranuar nga qytetarët e dy vendeve, duhet t’i kontribuojë stabilitetit të rajonit, në vend se ta dobësojë stabilitetin e rajonit”.
Në intervistën lamtumire dhënë “Kohës Ditore” në ditët e fundit të tij si ambasador i SHBA-së në Kosovë, Delawie ka folur gjerësisht për arritjet dhe sfidat e mbetura në disa prej fushave më të rëndësishme për Kosovën.
Përveç për dialogun e Brukselit, ambasadori amerikan ka folur edhe për procesin e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri, dhe rrugën që, sipas SHBA-së, duhet ndjekur Qeveria e Kosovës në këtë proces.
“Askush nuk i mbështet Forcat e Sigurisë së Kosovës më shumë se Shtetet e Bashkuara”, tha Delawie, duke shtuar: “Dhe unë mendoj se koha e shpalljes së njoftimit, javën e shkuar, nuk ishte e qëlluar”. Në intervistë ai elaboron arsyen pse momenti i marrjes së këtij vendimi nga Qeveria nuk ishte i qëlluar.
Ambasadori Delawie po ashtu foli edhe për rastin e “veteranëve të rrejshëm”, dhe shtoi se pse pikërisht këtë rast e konsideron të rëndësishëm për vendin, ndërsa ka numëruar edhe ato që konsideron se kanë qenë përmirësime reale në sundimin e ligjit.
Ambasadori Delawie, i cili largohet në fund të këtij muaji pas tre vjetësh shërbimi si përfaqësues diplomatik i SHBA-së në Kosovë, ka folur gjerësisht edhe për korrupsionin si problem me të cilin duhet të ballafaqohet Kosova, ndërsa ka dhënë edhe disa vëzhgime të tija rreth asaj se çka do të duhej të bëjnë politikanët kosovarë në të ardhmen për ta çuar vendin përpara dhe çfarë platformash politike duhen ndjekur.