Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se korrupsioni po pengon zhvillimin e ekonomisë dhe të bizneseve në Kosovë. Por, sipas tij, po punohet që të mposhtet kjo “murtajë”, sikur e ka quajtur këtë dukuri.
“Luftimi i korrupsionit është prioritet i Qeverisë time. Kerry dhe Biden kur ishin në Kosovë i vunë një theks të veçantë kësaj dukurie. Korrupsioni paraqet pengesë në aplikimin e ligjit. Ajo çka po dëshirojmë të arrijmë është që Kosova të ketë një potencial. Ne po investojmë në Kosovë që ta kalojmë këtë ‘murtajë’”, u shpreh Delawie.
Diplomati amerikan numër një në Kosovë i bëri komentet në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), me temën “Etika në biznes dhe korrupsioni”.
Arian Zeka, drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se etika në biznese ka një rëndësi të madhe në zhvillimin e bizneseve dhe se besimi i klientëve është më i qëndrueshëm.
“Ndërtimi i organizatave etike ka të bëjë më shumë me ndërtimin dhe ngritjen e etikes në biznes. Etika organizative është për t’i bërë punët siç duhet dhe siç është e drejtë”, tha Zeka.
Vehbi Kajtazi nga portali “Insajder”, tha se bizneset janë ndër më të korruptuarat. “Një pjesë e madhe e bizneseve janë të lidhura me politikën dhe pushtetin të cilët i kanë vënë në krye të afërmit e tyre, duke ndarë tendera për ta. Pra paraja publike e qytetarëve shkon direkt ne xhepat e këtyre politikanëve”, tha Kajtazi.
Roli i sektorit privat, jetik për ndalimin e korrupsionit
Greg Delawie shprehu shqetësimet e tij për korrupsionin dhe etikën e të bërit biznes në Kosovë. Ai theksoi se sundimi i ligjit, zhvillimi më i lartë ekonomik dhe siguria rajonale janë tri synimet e tij primare.
Delawie theksoi se korrupsioni paraqet pengesë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, pasi që si i tillë, dëmton besimin e njerëzve në sistemin politik, institucionet dhe udhëheqjen e tij; dëmton sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. Ambasadori Delawie theksoi se ndihma që Kosova të zhvillojë aftësitë për të luftuar korrupsionin është prioritet i misionit të SHBA-së në Kosovë, dhe se SHBA ka trajnuar pothuajse 1,200 profesionistë të sektorit të drejtësisë dhe ka zhvilluar projekte për fuqizimin e këtij sektori.
Ai u shpreh i kënaqur për pjesëmarrje në një tryezë të tillë, i gatshëm të dëgjojë historitë e njerëzve dhe rekomandimet e tyre se si të luftohet korrupsioni. Delawie shprehi gatishmërinë e tij për të punuar nga afër me biznese dhe institucionet përkatëse, pasiqë kjo është në interes të bizneseve dhe në interes të Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka u shpreh se sfidat e zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit janë ndër faktorët kryesor që po pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe po pamundësojnë tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Zeka shtoi se luftimi i dukurive të tilla do të ndikonte në rritjen e investimeve të huaja direkte dhe si rezultat, në krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Edhe pse luftimi i korrupsionit mund të duket mision i pamundur, sipas Zekës, luftimi i tij përmes organizmave ligjor dhe fuqizimit të etikës së biznesit, mundëson në rritjen e besimit të qytetarëve dhe investitorëve potencial ndaj institucioneve shtetërore. Ky aktivitet është mundësi e mirë për të trajtuar çështje të rëndësishme, mirëpo teori të tilla duhet padyshim të zbatohen edhe në praktikë.
Visar Dobroshi nga “Recura Financials” tha se qeverisja korporative dhe kodet etike të bizneseve janë parakushte për mirëfunksionimin e sektorit privat në Kosovë. Ndërsa Agon Gashi nga “Meridian Corporation” theksoi se korrupsioni është praktikë e papranueshme, por që fatkeqësisht është prezent në shkallë mjaft të lartë në Kosovë.
Kryeredaktori i portalit “Insajderi” Vehbi Kajtazi tha se korrupsioni është fatkeqësi për Kosovën dhe se bizneset janë ndër më të korruptuarat, si pasojë e lidhjes së tyre me politikën dhe pushtetin dhe keqpërdorimit të parasë publike. Besim Kelmendi, Prokuror në Zyrën e Prokurorit të Shtetit tha se luftimi i korrupsionit mund të bëhet vetëm përmes bashkëpunimit të qytetarëve me prokurorinë dhe policinë e shtetit, përmes mundësive ligjore të cilat ofrohen. Micheal Gold nga “Crimpson Finance Fund” vlerësoi rëndësinë e të pasurit kode etike, sidomos brenda përbrenda kompanisë, duke theksuar se përmes tyre mundësohet parandalimi i korrupsionit, nepotizmit dhe ryshfetit.