“Delegacioni” është filmi që ka bashkuar shumë emra të njohur të kinematografisë, e padyshim që sukseset nuk mungojnë.
Filmi po nis rrugëtimin e tij drejt Polonisë, ku do të jepet premierë botërore në Warsaw Film Festival në Poloni, në edicionin e 34-të të këtij festivali. Warsaw Film Festival do të mbahet nga data 12 deri më 21 tetor.
“The Delegation” është me skenar të Artan Minarollit, regji të Bujar Alimanit, bashkëprodhim i NSH Bleri Production Kosovë, me Art film Shqipëri, Zorba Production France dhe Graal films Greqi.
Producenti i këtij filmi, Blerim Gjinovci shprehet entuziast për filmin, duke shpresuar se ky film do të rrëmbejë edhe çmime në këtë festival.
Mirëpo këtu nuk mbaron rrugëtimi i këtij filmi, pasi ai do të marrë pjesë edhe në festivale tjera si: Greqi, Gjermani, etj.
Filmi ngërthen ngjarje nga fundi i vitit 1990 në Shqipëri, kur ishte në fund të periudhës komuniste. Në Shqipëri vjen një delegacion evropian për të parë nga afër reformat demokratike që ka marrë Qeveria e Tiranës, e i sidomos zbatimin e të drejtave të njeriut, që konsiderohej primare për anëtarësimin e Shqipërisë në OSBE. Personi që kryeson delegacionin ka qenë shok i ngushtë shkolle diku në Pragë me një shqiptar. Ky kryesues patjetër do të flasë me shokun e tij shqiptar, të cilit do t’i besoj të vërtetën për këto të drejta apo shtypjen e demokracive në Shqipëri. E pikërisht këtë njeri, pra shokun e kryesuesit të delegacionit Qeveria Komuniste Shqiptare asokohe, para qysh 17-të viteve e ka futur në burg politik në Shqipëri. Dhe nga Ministria e Brendshme, shkon një makinë e sigurimit të shtetit për ta marrë nga burgu këtë njeri duke e sjellë urgjentisht në Tiranë, që t’i deponojë mikut të huaj që këtu çdo gjë shkon mbarë…
Ky është thelbi i historisë që trajtohet në skenarin e Artan Minarollit.
Inicuesi, skenaristi dhe regjisori, Artan Minarolli u nda nga jeta në hapat e parë të këtij projekti. Minarolli ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare pas një sëmundje të rëndë dhe ky film është rikujtim për kontributin e tij të madh.
Filmi “The Delegation” është mbështetur nga QKK në Kosovë në vitin 2016 në kategorinë e Cooproduksionit minor. Kur jemi te Festivali, ai u krijua në vitin 1985 dhe në vitin 2009 u bashkua me elitën e festivaleve të njohura nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Producenteve FIAPF.
Warsaw Film Festival hyn në mesin e festivaleve më të rëndësishme si Cannes, Venice, Berlin, Locarno, San Sebastian, Karlovy Vary, Tokyo, Moscow, Mar del Plata, Montreal, Shanghai, Cairo, Goa, dhe Tallinn, të quajtura ndryshe edhe festivale të Kategorisë A.