Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri me bashkëpunëtorët e tij ka pritur në vizitë zyrtare një delegacion të Departamentit të të Hyrave të Afganistanit. Qëllimi i kësaj vizite është informimi i tyre me progresin dhe zhvillimet e Administratës Tatimore të Kosovës, në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e politikave dhe procedurave tatimore, si dhe në fushën e teknologjisë informative, me mundësi të shkëmbimit të përvojave më të mira në fushën e tatimeve, në mes dy institucioneve tona.
Ky delegacion i kryesuar nga Zëvendësdrejtori për Çështje Teknike nga Departamenti i të Hyrave të Afganistanit, Mohammad Saleem Kashaf me bashkëpunëtorë, janë informuar për së afërmi rreth implementimit të Planit Strategjik, për të cilin u tha se është i përqendruar në sigurimin e përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore, duke ofruar shërbime profesionale, transparente dhe efektive, krahas zbatimit të drejtë dhe të njëllojshëm të legjislacionit tatimor.
Në fokus të kësaj vizite do të jetë prezantimi i platformës së teknologjisë informative, dhe sistemet e zhvilluara në përkrahje të ATK-së, për përmbushjen e objektivave Strategjike dhe Operacionale, duke mundësuar zyrtarëve tatimore realizimin e detyrave në mënyrë të thjeshtë, njëkohësisht duke ju krijuar tatimpaguesve lehtësira dhe kosto më të ulët, në përmbushjen e obligimeve tatimore.
Temat e takimeve të delegacionit afgan janë të lidhura kryesisht me shërbimet elektronike, si deklarimi dhe pagesa elektronike, vërtetimi tatimor, One-Stop-Shop, pikat e shërbimit, qendra e thirrjeve dhe sistemi tatimor në përgjithësi.
Kjo vizitë konsiderohet si një element i progresit të ATK-së në vitet e fundit, duke u cilësuar si njëra nga administratat më të suksesshme në rajon. Këtë e dëshmojnë edhe referencat dhe raportet e organizatave ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, që njëherit jo vetëm që i referohen si shembull i suksesit, mirëpo kërkojnë nga ATK-ja që të asistojë dhe përkrah administratat e vendeve tjetra në zhvillimin dhe modernizimin e tyre, duke përdorur teknologjinë informative për avancim dhe zhvillim të një administrate efikase.