Deliu-Haxhiut: Paturpësi që opozita të kualifikohet si bashkëpunëtore e Serbisë

Prishtinë | 06 Nën 2022 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i kritikojë qëndrimet e opozitës për gjendjen në veri.

Ajo ka thënë se është paturpësi e skajshme deklarata nga ministrja dhe pushteti në përgjithësi, që opozita të kualifikohet si bashkëpunëtore e Serbisë.

“Paturpësi e skajshme nga Ministrja e Drejtësisë dhe pushteti në përgjithësi, të kualifikohet opozita si bashkëpunëtore e Serbisë e ushqyese e apetiteve të Vuçiqit”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, një diskurs i tillë përçarës është i patolerueshëm, transmeton Klankosova.tv.

“Opozitën e përbëjnë subjekte të cilat kanë qenë bartëse të rezistencës politike e të armatosur, realizuese të pavarësisë e shtetndërtimit. I ka ra boja kamuflazhit me të cilin keni fshehur paaftësinë qeverisëse dhe qyqarllëkun në vendimmarrje”, ka shkruar Deliu në llogarinë e saj në Facebook.

Pas gjendjes në veri, Albulena Haxhiu të shtunën, tha se janë për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e subjekteve opozitare.

“Fatkeqësisht opozita e sotme apo qeveria e djeshme as atëherë as tash nuk mbështesin vendimet e drejta, madje sot vuajmë pasojat e marrëveshjeve të tyre të dëmshme. Ata duan që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti”, shkroi ministrja e Drejtësisë. 

Të ngjashme