Deliu-Kodra pret nga Kurti t’i kërkojë falje Blinkenit: Kemi më pak sovranitet, siguri dhe shtet

Prishtinë | 22 Qer 2023 | 10:56 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur kritika ndaj Qeverisë Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Deliu-Kodra, edhe një herë tha se PDK-ja kërkon që tre policët e rrëmbyer nga Serbia javën e kaluar, të lirohen menjëherë dhe pa kushte, pasi mbi ta rëndojnë akuza të pabaza, raporton Ekonomia Online.

“Thirrja jonë mbetet e njëjtë, lirimi i tyre menjëherë dhe pa asnjë kusht. Thirrje të tilla kanë bërë ShBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja. Roli i Shqipërisë vazhdon të mbetet i madh”, tha ajo në seancën plenare.

Mes tjerash, ligjvënësja opozitare theksoi se janë të shqetësuar me acarimin e raporteve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë.

“Sot si rezultat i qasjes aventureske, kemi më pak sovranitet, siguri, rend dhe shtet”, tha ajo.

Krejt në fund, ajo pret që Kurti t’i kërkojë falje sekretarit amerikan të Shtetit, i cili pas tensioneve të krijuara në Veri tha se “ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”.

“Kurti t’i kërkojë falje zotit Blinken për deklaratën e tij skandaloze. është e domosdoshme për aq sa i është kryeministër i Kosovës. Na mbetet përgjegjësia e madhe për t’u distancuar nga kjo gjuhë që ai tash e sa kohë po komunikon me partnerët”, tha ajo.

Fjalimi i plotë:

I nderuar kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Të dashur qytetarë,

Tetë ditë më parë, njësitet speciale të Policisë së Serbisë, rrëmbyen brenda territorit të Republikës së Kosovës, tre zyrtarë policorë të Kosovës, të cilët ishin në krye të detyrës – në patrollimin e vijës kufitare, e në luftim të kontrabandës e kriminalitetit në veri. Serbia, sikurse edhe në raste të tjera, bëri një shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. E ri-dëshmoi dhe e demonstroi qëllimin e vazhdueshëm dhe të përhershëm për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon.

Sot, tetë ditë pas, policët tanë po mbahen në paraburgim, me akuza të pabaza e më trajtim të padinjitetshëm njerëzor. Ndërkohë thirrja jonë mbetet e njëjtë: Lirimi i mënjëhershëm i tyre – pa asnjë kusht! Fatmirësisht, thirrje të tilla, prej ditëve të para kanë bërë edhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës. SHBA, Mbretëria e Bashkuar, BE si organizatë dhe shtetet anëtare në mënyrë të veçantë. Nga ana tjetër, roli dhe angazhimi i Republikës së Shqipërisë, vazhdon të jetë i madh e i pazëvendësueshëm.

Shpresojmë dhe besojmë që angazhimi i të gjithëve, të mundësojë kthimin e zyrtarëve tanë policor, në punën dhe familjet e tyre. Mirëpo, të nderuar kolegë, nëse në këtë pikë, jemi të gjithë të një zëri, Ne, fatkeqësisht jemi më shumë se kurrë të shqetësuar për nivelin e bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me partnerët tanë strategjikë. Sot, fatkeqësisht, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, i ka dyert e mbyllura në diplomacitë e vendeve mike.

Në dyert e miqëve tanë, me të cilët, arritëm dhe bashkë-udhëtuam prej më shumë se dy dekadash. Sot, si rezultat i qasjes avantureske të Albin Kurtit, kemi më pak sovranitet në pjesën veriore. Kemi më pak siguri, rend dhe ligj. Pra, kemi më pak shtet. Çfarë kemi sot, janë sulmet e vazhdueshme e të papranueshme të partisë në pushtet për NATO-n si organizatë paqeruajtëse që garanton integritetin territorial të Kosovës. Për SHBA-në si garanca e shtetësisë tonë!

Nxitja e një gjuhe të tillë shpërfillese dhe mosmirënjohese nga eksponent të pushtetit dhe nga zyrtarët e LVV-së është prej qëllimeve të qarta të Serbisë në luftën e saj hibride ndaj shtetit tonë. Shumica e popullit të Kosovës të cilët kanë votuar për partinë e cila sot është në pushtet, asnjëherë nuk ka votuar për cenimin apo prishjen e raporteve nga aleatet tanë.

Ata nuk kanë votuar kryeministrin e Kosovës për ta cilësuar naiv sekretarin e shtetit z. Blinken. Rendi e ligji, zhvillimi ekonomik e prosperiteti, njohjet e reja, integrimet evropiane dhe euroatlantike as nuk mund të imagjinohen e as të ndodhin pa mbështetjen e fuqishme të demokracive përendimore. Sot, vendi ynë është në qorrsokak, kryeministri ynë është në panik. I dështuar në ekonomi, në sundim të ligjit, në punësim, në infrastrukturë e zhvillim, në shëndetësi e në arsim, me kryeneqësi është duke u orvatur për muaj më radhë që këto dështime ti mbuloj duke i kontribuar tensionimeve të panevojshme në pjesën veriore të Kosovës. Inflacioni dhe rëndimi i barrës së ekonomive familjare çdo ditë e më tepër, po e vështirësojnë jetën në Kosovë. Ikjet masive nga vendi tashmë janë bërë fenomen i përditshëm. Nuk po ikin vetëm të rinjët, por po ikin edhe profesionistët edhe të punësuarit.

Nepotizmi, korrupsioni dhe sulmet e përditëshme ndaj medieve dhe ndaj fjalës së lire, janë punët e vetme dhe të përditëshme që me zell po i kryejnë pushtetmbajtësit e kësaj qeverie. Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj, tashmë me një koncensus të madh ndërkombëtar, po shihen si fajtorët e dështimit të rrugës së vetme shpresëdhënëse për Kosovën – atë të dialogut.

Çdo ditë e më shumë Albin Kurti po e kupton se për çfarë është pajtuar me 27 shkurt në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër. Dështimin e tij në tryezën e dialogut po e shëndrron në dështim të Kosovës dhe të popullit të saj. Vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë dhe pranimi e zyrtarizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe, të pranuara në pikën 7 të marrëveshjes, si një kompromis që mbanë vulën personale të Albin Kurtit, nga njëra anë, dhe i asocacionit të komunave me shumicë serbe, nga ana tjetër, po përpiqet ti kamufloj duke e bërë protagonistin avanturier të tensioneve në veri. Prandaj, edhe sot i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës.

Po ashtu, kryeministrit Albin Kurti i bëjmë thirrje që ti kërkoj falje publike sekretarit z. Blinken për deklaraten e tij skandaloze në raport me të. Kërkim falja e Albin Kurtit ndaj z. Blinken është e domosdoshëm për aq kohë sa ai është kryeministër i Kosovës, sepse kursi euroatlantik i popullit të Kosovës nuk mund të ndërrohet nga ky kryeminister e as nga askush tjetër. Prandaj, neve si përfaqësues të popullit na mbetët përgjegjësia e madhe për tu distancuar nga kjo retorikë që shtetin tonë po e qonë drejtë izolimit ndërkombëtar, stagnimit dhe degradimit në çdo drejtim.

Ju faleminderit.

Të ngjashme