Demaku: Shpejt do të dihet emri i kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 18:57 | Nga

Konfirmimi i dënimit të Grupit “Drenica”, pjesë e të cilit janë edhe dy kryetarë të Komunave, ka bërë që Skenderaj dhe Drenasi të shkojnë përsëri në zgjedhje për të parin e komunës.

I pari i Drenasit, Nexhat Demaku, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, pasi që Gjykata e Apelit ia ka konfirmuar dënimin që ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Ai ka theksuar për Telegrafin se dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë komunë është e fuqishme dhe ka shumë kuadro të përgatitura, duke shtuar se “jemi njëra nga degët më të fuqishme në tërë Kosovën”.

“Njëherë nuk ka emra, por besoj se kryesia e degës do të vendosë në një afat të shpejt kohor. Synimet e degës janë që me dalë sa më mirë, dhe besoj se kanë me ia arrit. Unë po besoj që e gjitha do të bëhet më kohë, sepse normalisht duhet konsulta më të gjera për të ardhur te një alternativë sa më e mirë”, ka thënë Demaku për Telegrafin.

Ndryshe, Nexhat Demaku ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës dhe të kryetarit të degës së PDK-së në Drenas.

Ky vendim i tij vjen pasi që Gjykata e Apelit ua ka konfirmuar dënimin që ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës, më 15 maj të vitit 2015.

Nexhat Demaku ishte dënuar me 3 vjet burg së bashku edhe me vëllain tjetër Fadil Demaku në rastin “Drenica II”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme