(Mali i Zi, i llastuari i Evropës)
Pas Traktatit të Shën Stefanit (03 mars 1878) dhe Kongresit të Berlinit (13 qershor 1878), Fuqitë e Mëdha e detyruan Perandorinë Osmane që të ia lëshonte Malit të Zi Plavën dhe Gucinë, por këtë assesi nuk do e lejonte Lidhja shqiptare e Prizrenit, e cila dërgoi forcat e veta ushtarake dhe i mbrojti heroikisht këto treva shqiptare nga pushtimi malazez.
Pas kësaj përpjekje të dëshpëruar, Krali malazias Nikolla, u ankua tek fuqitë e mëdha, se Perandoria Osmane nuk po ia lëshonte tokat të cilat sipas marrëveshjes do të duhej të ia jepte Malit të Zi. Fuqitë e Mëdha menduan për një opsion tjetër për Malin e Zi, ato vendosen që malazezëve t’u jepeshin Hoti dhe Gruda të cilat ishin të banuara me shqiptarë të besimit Ortodoks dhe si të tillë mendimi ishte se ata nuk do të refuzonin pushtetin e një mbreti Ortodoks siç ishte Nikolla i Malit të Zi. Por kështu nuk menduan edhe shqiptarët, me hyrjen e malazezëve në këto dy treva shqiptare, ata hasen në rezistencë shumë të ashpër nga vendasit shqiptar dhe forcat e Lidhjes së Prizrenit, të cilët e zmbrapsen ushtrinë malazeze!
Kjo bëri që Mali i Zi edhe një herë të detyrohet të kërkoj ndihmën e Fuqive të Mëdha duke u ankuar serish se Perandoria Osmane nuk ishte gjithaq e interesuar që të ia lëshonte Malit të Zi ato pjesë që i jepeshin nga marrëveshja! Duke parë gjendjen e krijuar, Fuqitë e Mëdha, gjithsesi kishin vendosur që Malit të Zi ti jepnin një copë toke nga pjesa e shqiptarëve, tashmë ato vendosen që të ia jepnin Ulqinin dhe kështu ti plotësonin apetitit e Nikollës.
Pasi që ushtria e Perandorisë Osmane u detyrua të largohej nga Ulqini dhe të hiqte dorë nga mbrojtja e tij, menjëherë në qytet u futen forcat shqiptare të Lidhjes së Prizrenit të cilat ishin të vendosura për mbrojtjen e qytetit historik. Forcat malazeze e kishin të pamundur hyrjen në Ulqin, sa sulme që bënin, ushtria e Lidhjes së Prizrenit i kthente mbrapa, por një gjë të tillë shqiptarët nuk mundën ta bëjnë edhe me Flotën detare të Britanisë së Madhe, e cila filloj bombardimin e forcave shqiptare në Ulqin me ç’rast edhe i shpartalloi duke bërë kështu që malazezët të futen në Ulqin pa asnjë pengesë të vetme.
Kështu ndodhi plotësimi i dëshirës së Malit të Zi që të kishte me doemos një copë tokë shqiptare brenda kufijve të vet.
Një gjë e ngjashme po ndodhë edhe sot, por tani në rrafshin diplomatik. Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, automatikisht i jep malazezëve një pjesë të mirë të tokës së Kosovës këtij shteti fqinjë, pjesë e cila asnjëherë nuk ishte e tij.
Ndonëse Mali i Zi dhe Maqedonia, nuk ishin palë ndërluftuese në Luftën e fundit (1998-1999), por prap se prap këto dy shtete po marrin tokë shqiptare. Demarkacioni me Maqedoninë, të paktën 3000 hektarë të Kosovës i shkëputi në favor të shtetit maqedonas, tani edhe Demarkacioni me Malin e Zi po bënë që rreth 8000 hektarë ti merren Kosovës dhe ti jepen malazezëve.
Nëse do të ndodhë edhe zyrtarisht shkëputja e kësaj pjese, e cila do ti jepet Malit të Zi, harta e Kosovës nuk do të jetë më ajo që është sot, hartë e cila fatkeqësisht duhet të ndryshohet edhe në Flamurin tonë shtetërorë.
Ndonëse miqtë tanë evropian dhe botërorë, ishin për mos prekjen e territoreve, prap se prap ajo po ndodhë duke i dhënë territor të Kosovës Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Por humbjet territoriale për Kosovën nuk do të ndalen me kaq! Demarkacioni i kufirit, do të ndodhë edhe me Serbinë, demarkacion i cili me shumë gjasë do të jetë edhe më i dhimbshëm dhe më i dëmshëm për Kosovën, se sa demarkacioni me Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Se çfarë do të ndodhë dhe çfarë skenari do na përgatitet nga Serbia dhe Rusia, mbetet të shihet, por një është e sigurtë, Historia po përsëritet.
***Autori është historian