Qeveria e Kosovës javën tjetër do ta riprocedojë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, ndonëse ende nuk i ka siguruar votat e nevojshme të deputetëve. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës janë të bindur se Demarkacioni nuk do të kalojë.
Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi pritet që gjatë javës së ardhshme të riprocedohet në Kuvendin e Kosovës, ndonëse koalicioni qeverisës, PDK-LDK, ende nuk i ka siguruar votat e nevojshme për ta ratifikuar këtë Marrëveshje, shkruan gazeta Zëri.
Përderisa zyrtarë qeveritarë insistojnë se kjo Marrëveshje duhet të kalojë domosdo, përfaqësues të subjektit më të madh politik në koalicionin qeverisës (PDK) thonë se ende nuk mund të flitet për çështjen e votave.
Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë këtë Marrëveshje me të gjitha format e lejuara. Përkundër tyre, njohësit e zhvillimeve në vend, konsiderojnë se kjo Marrëveshje duhet patjetër të dërgohet në Kuvend, edhe nëse ajo dështon së ratifikuari në legjislativ.