Për 9 muaj të këtij viti (janar-shtator) Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së, ka shpenzuar vetëm 9% të buxhetit të paraparë për investime kapitale. Përkatësisht nga 57 milionë € buxhet të planifikuar në këtë kategori, Rama për periudhën janar-shtator 2022 i shpenzuar rreth 5 milionë euro, raporton Front Online.
Edhe më keq se Rama punët me investime kapitale i ka bashkëpartiaku i tij, Burim Berisha, i cili udhëheq me Komunën e Fushë-Kosovës.
Nga rreth 6 milionë euro për investime kapitale, Komuna e Fushë- Kosovës për 9 muaj ka shpenzuar rreth 260 mijë euro, apo 4 për qind të buxhetit të përgjithshëm për këtë kategori buxhetore.
Edhe Komuna e Istogut është keq me investime kapitale. Për 9 muaj kjo Komunë që udhëhiqet nga Ilir Ferati i LDK-së ka shpenzuar vetëm 9 për qind të buxhetit.
Komuna e Klinës që udhëhiqt nga Zenun Elezaj i AAK-së, përgjatë periudhës janar-shtator 2022 ka shpenzuar 22% të buxhetit për investime kapitale, përderisa Komuna e Vushtrrisë që udhëhiqet nga Ferit Idrizi i PDK-së ka shpenzuar vetëm 13 % të buxhetit të planifikuar për investime kapitale.
Në mesin e Komunave që kanë dështuar me investime kapitale është edhe Komuna e Kamenicës, e cila udhëhiqet nga Kadri Rahimaj i LVV-së. Kjo Komunë përgjatë periudhës janar-shtator 2022 ka shpenzuar veç 15% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale.
Rekordmenët e Komunave
Komuna e Rahovecit, e cila udhëhiqet nga Smajl Latifi i AAK-së, ka shpenzuar 70 për qind të buxhetit të planifikuar për investime kapitale përgjatë periudhës janar-shtator 2022.
Edhe Komuna e Deçanit ka shpenzuar 64% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale, 49 për qind të buxhetit për investime kapitale e ka shpenzuar Mitrovica e Jugut.
Edhe më mirë se kjo e fundit në këtë aspekt qëndron Komuna e Gjilanit ka shpenzuar 61% të buxhetit për investime kapitale.
Komuna e Ferizajit ka shpenzuar 70 për qind të buxhetit për investime kapitale, ndërsa Komuna e Prizrenit ka shpenzuar 33% të buxhetit për investime kapitale.
Sivjet më pak investime kapitale se vitin e kaluar
Përndryshe, sipas raportit nëntë mujor financiar të Ministrisë së Financave dhe Transfereve , për periudhën janar-shtator 2022 shteti i Kosovës ka shpenzuar veç 158 milionë euro investime kapitale.
Sipas Ministrisë së Financave shpenzimet kapitale sivjet janë shumë më pak se vitin paraprak, duke u arsyetuar se dinamika më e ulët është edhe si rezultat i ngadalësimit të punëve nga ana e operatorëve ekonomikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor dhe faktorëve të ndërlidhur me të.