Muri i Schengenit nuk po i pengon të rinjtë kosovarë të ikin nga vendi. Derisa vite më parë rreth 100 mijë kosovarë ikën ilegalisht nëpërmjet Hungarisë, tashmë shumë të tjerë po arrijnë legalisht në Evropë, duke u pajisur me viza pune në Prishtinë.
Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë se pa ndryshuar situata që mbizotëron në Kosovë vala e emigrimeve nuk do të ndalet as para liberalizimit, por as pas tij.
“Liberalizimi i vizave ndodhi ose nuk ndodhi nuk besoj se do ta ndalë fenomenin e largimit të njerëzve. Kjo bëhet vetëm nëse institucionet tona fillojnë të kthjellen dhe të mendojnë se si të rriten vendet e reja të punës në Kosovë, që ta parandalojnë këtë dukuri. Në Kosovë është një numër i lartë i papunësisë, qytetarët nuk po kanë mundësi të gjejnë punë e sidomos kur po e shohin që e vetmja mënyrë për t’u punësuar është të jesh pjesë e partisë”, theksoi Demhasaj, për “Zërin”.
Sipas tij, edhe fenomeni tjetër i dhënies së kontratave të punës nga shtetet e Bashkimit Evropian është një arsye më tepër se qytetarët nuk do ta ndalin fluksin e emigrimeve.
“Në të kaluarën kemi parë se ka pasur një numër të madh të njerëzve që kanë shkuar ilegalisht jashtë vendit dhe kanë kërkuar azil, ndërsa sot po shohim një mënyrë tjetër të largimit të njerëzve veçse në mënyrë legale e kjo po bëhet përmes marrjes së vizave të punës nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Duke e ditur që liberalizimi nuk ofron mundësi jetese e punësimi, edhe për shkak të këtij fenomeni heqja e vizave nuk do të kryejë punë”, është shprehur Demhasaj.