Demokracia e kërcënuar në rajon, Bokshi: Ka kthim të atmosferës që u paraparin luftërave në ish Jugosllavi

Prishtinë | 29 Jan 2025 | 11:43 | Nga Gzim Mujaj

Kosova vazhdon të përballet me forma të ndryshme të ekstremizmit, të cilat shpesh mbivendosen dhe ndajnë elemente me ekstremizmin e ekstremit të djathtë. Kështu u tha në konferencën rajonale të organizuar nga “Sbunker”, ku u prezantua edhe raporti “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundër-masat”, raporton Ekonomia Online.

Raporti thekson se nacionalizmi ekstrem në Kosovë vazhdon të ushqehet nga tensionet e thella etnike, veçanërisht midis shqiptarëve dhe serbëve.

Aty u tha se ekstremizmi i ekstremit të djathtë, shpesh i lënë nën hije nga shqetësimet rreth ekstremizmit fetar në Kosovë, kërkon vëmendje urgjente për shkak të potencialit të tij për të minuar demokracinë për të promovuar ideologjitë përjashtuese.

Alban Bokshi, menaxher i projektit në “Sbunker”, ka thënë se raportet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin që demokracia, të drejtat e njeriut, realiteti dhe diversiteti i mendimeve, lirit bazike janë të kërcënuara dhe në rënie në rajon dhe madje ka kthim të gjuhës dhe atmosferes së viteve 90 që u paraparin luftërave në ish Jugusllavi.

“Duket se rajoni i Ballkanit perëndimor ka një tërheqje të madh për këto ideologji. Disa raporte ndërkombëtare të viteve të fundit kanë ngritur shqetësimin që demokracia, të drejtat e njeriut, realiteti dhe diversiteti i mendimeve, lirit bazike janë të kërcënuara dhe në rënie në rajon dhe madje ka kthim të gjuhës dhe atmosferës së viteve 90-ta që u paraparin luftërave në ish Jugusllavi. Ka ngritje të retorikës nacionaliste dhe populiste, dhe ngecje të proceseve si drejtësia tranzicionale. Mungesa e rezultateve që lënë boshllëqe që mund të përdoren nga grupet ekstreme që ushqejnë ndenjen e hakmarrjes dhe ndikojnë në ngritjen e ideologjive ekstreme”, tha ai.

Bardh Bakija, drejtor ekzekutiv i “Sbunker”, ka thënë se ekstremizmi i të djathtës së skajshme, nacionalizmi dhe lëvizjet anti gjinore janë lënë anash.

Sipas tij, nacionalizmi në mediat sociale në Kosovë është duke u përhapur me një shpejtësi të pabesueshme. “Ekstremizmi është kornizuar si çështje të sigurisë në rajon me fokus tek radikalizmi fetar, ndërkohë ekstremizmi i të djathtës së skajshme, nacionalizmi dhe lëvizjet anti gjinore janë lënë anash. Raporti, e sfidon këtë. Kosova duket të mos ketë pasur këtë si më vendet e rajonit, por narrativat themelore, sidomos në mediat sociale janë duke u përhapur me një shpejtësi të pabesueshme. Ato ndikojnë në diskursin publik, formësojnë debatet tona publike dhe krijojnë mjedise në të cilat gjuha e urrejtjes dhe përjashtimi bëhen të normalizuara. Tashmë po e shohim një gjë të tillë edhe në fushatën zgjedhore”, ka thënë ai.

Ndërsa, Ronald Goldberg, zëvendës-ambasador në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, ka thënë se ky raport shërben si shpresë dhe model për progres.

“Ky projekt me fokusin në dialog, sistemet e paralajmërimit të hershem dhe veprimeve më bazë në komunitet shërbejnë si shpresë dhe model progresi. Kjo shpreh besimin që rruga drejt bazës së qëndrueshme qëndron tekë pjesëmarrja aktive e gjithë sektorëve të shoqërisë. Jemi këtu sot për shkak se ne si ambasadë kemi identifikuar që pajtimi mes komuniteteve nuk është vetëm imperativ moral, por një gurthemel i sigurisë dhe stabilitetit”, tha ai.

Adelina Hasani, hulumtuese dhe autore e raportit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundërmasat”, ka thënë se raporti identifikon disa forma të ekstremizmit në Kosovë, duke përfshirë etno-nacionalizmin, narrativat kundër gjinive, ekstremizmin fetar, retorikën anti-islamike dhe ekstremizmin politik.

Raporti thekson se nacionalizmi ekstrem në Kosovë vazhdon të ushqehet nga tensionet e thella etnike, veçanërisht midis shqiptarëve dhe serbëve dhe se çështjet e pazgjidhura dhe trashëgimia e konfliktit të viteve 1998-1999 vazhdojnë të dominojnë diskursin politik në të dyja vendet, duke penguar përpjekjet për pajtim dhe stabilitet.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në raport është veprimtaria e grupeve etno-nacionaliste të ekstremit të djathtë në veri të Kosovës.

“Hulumtimi identifikon disa forma të ekstremizmit në Kosovë, duke përfshirë etno-nacionalizmin, narrativat kundër gjinive, ekstremizmin fetar, retorikën anti-islamike dhe ekstremizmin politik. Këto forma shpesh mbivendosen dhe ndajnë elemente me ekstremizmin e ekstremit të djathtë, megjithëse ky i fundit nuk është bashkuar në një lëvizje të qartë. Ndërsa kategorizohen si të ndara, këto forma janë thellësisht të ndërlidhura, të formuara nga aktorët dhe grupet që i promovojnë ato”, tha ajo.

Ky raport, sipas Hasanit eksploron format, narrativat dhe ndikimet e ekstremizmit të ekstremit të djathtë në Kosovë.

Ajo thekson se raporti fokusohet në ideologjitë dhe narrativat e gjera të grupeve të ekstremit të djathtë dhe nacionalist, në vend të individëve apo grupeve specifike.

“Nacionalizmi në Kosovë shënohet kryesisht nga armiqësia e thellë ndërmjet grupeve etnike, veçanërisht shqiptarëve dhe serbëve. Çështjet e pazgjidhura dhe trashëgimitë e konfliktit të dhunshëm të viteve 1998-99 vazhdojnë të dominojnë diskursin politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, duke penguar mundësinë e pajtimit dhe ecjes përpara. Grupet etno-nacionaliste, të identifikuara nga ekspertët e intervistuar të sigurisë si organizata të ekstremit të djathtë në veri të Kosovës, kanë kryer sulme terroriste në Kosovë. Këto grupe me lidhje të drejtpërdrejta me institucionet serbe jo vetëm që minojnë sovranitetin e Kosovës, por gjithashtu rrezikojnë sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit lokal serb në zonë. Autoritetet e Kosovës përcaktuan grupe si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si entitete terroriste”, ka thënë ajo.

Një tjetër faktor me ndikim në rritjen e ekstremizmit është dezinformimi nga Rusia, e cila, sipas raportit, ka nxitur ndjenjat etno-nacionaliste midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Fushatat dezinformuese ruse kanë luajtur një rol kritik në rritjen e etno-nacionalizmit midis (veçanërisht serbëve) dhe shqiptarëve. Rusia përpiqet të bëjë një paralele ndërmjet minoritetit serb në veri të Kosovës dhe minoritetit rus në Donbas”, ka thënë ajo.

Raporti i publikuar vë në dukje rëndësinë e ndërhyrjeve strategjike për të luftuar ekstremizmin, duke përfshirë politikën e sigurisë, edukimin dhe fushatat kundër dezinformimit.

Për të adresuar këto sfida, kërkohet një qasje e koordinuar nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në rajon.

Të ngjashme