Sot, rrjeti i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), publikoi raportet përfundimtare lidhur me vlerësimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Eugen Cakolli nga DnV, vlerësoi që zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta. “Përjashtim në këtë kualifikim përbën votimi në komunat me shumicë serbe, ku është evidentuar votim i orkestruar për dy subjekte politike nga radhët e komuniteteve, si dhe dalje e pazakontë e votuesve në zgjedhje deri në 85%.” shtoi Cakolli.
Dita e zgjedhjeve u vlerësua se është zhvilluar e qetë, pa ndonjë incident që do të mund të ndikonte në integritetin e procesit zgjedhor. Ndonëse procesi i votimit ishte i rregullt, i njëjti u tha se është karakterizuar nga disa probleme të përsëritura nga ciklet e mëparshme zgjedhore, si dhe me nivele jo të kënaqshme të respektimit të masave anti-COVID.
Procesi i numërimit të votave, sidomos të kandidatëve të subjekteve politike, u cilësua si një prej problematikave kryesore të procesit zgjedhor. Implikimi i personave të dyshuar në vepra penale të falsifikimit dhe manipulimit të rezultateve zgjedhore në QNR, e dëshmuar përmes publikimit të një video-incizimi, u tha se ka zbehur kredibilitetin e këtij procesi. Sa i përket rinumërimeve, u potencua që ndonëse numri i vendvotimeve të rinumëruara është dukshëm më i ulët se në zgjedhjet e vitit 2019, sërish, rinumërimi i rreth 700 kutive apo 29% të numrit të përgjithshëm të vendvotimeve, e përcjellë edhe me përsëritjen e numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë për një subjekt politik, shpërfaqë politizimin e thellë dhe mungesën e integritetit në mesin e disa komisionerëve dhe stafit të QNR-së.
Edhe pse puna e KQZ-së u vlerësua si transparente, u theksua fakti që ndryshe nga proceset e mëparshme, në këto zgjedhje puna e KQZ-së është shoqëruar me polarizim dhe përplasjet verbale mes anëtarëve të KQZ-së. Po ashtu, puna dhe pavarësia e KQZ-së u tha se janë cenuar edhe nga ndërhyrjet nga palët e jashtme. Kurse, Kryetarja e KQZ-së ka qenë target i sulmeve të shumta edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe palë tjera.
Operacioni i votimit jashtë vendit dhe procesi i certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre u konsideruan si dy hallkat më të ndjeshme dhe problematike të këtyre zgjedhjeve. Ndërsa, institucionet përgjegjëse për trajtimin e ankesave dhe apeleve lidhur me zgjedhjet, u konsiderua se kanë vepruar me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme në trajtimin e ankesave dhe apeleve, duke respektuar të gjitha afatet e përcaktuara ligjore.
Në anën tjetër, DnV lansoi edhe raportin lidhur me monitorimin e fushatës zgjedhore, të gjeturat e së cilit u prezantuan nga Visar Xhambazi nga DnV. Vlerësimi kryesor i këtij raporti është se fushata zgjedhore ishte e qetë dhe pa ndonjë incident serioz. Ndërsa, u theksua që një pjesë e konsiderueshme e ngjarjeve të organizuara nga subjektet politike nuk janë raportuar në institucionet përkatëse (KKZ). “Aktiviteti më i zakonshëm gjatë fushatës ishin vizitat tek qytetarët, derë-më-derë si dhe vizita në institucione të caktuara. Këto aktivitete u shoqëruan me grumbullime të mëdha qytetarësh, duke mos respektuar rregullat për distancë fizike dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur.” tha Xhambazi.
Gjithashtu, fushata u tha se ishte karakterizuar me pjesëmarrje të ulët të grave në ngjarje të fushatës zgjedhore si pjesëmarrëse dhe si folëse. Tutje, kjo fushatë u karakterizua me elemente të gjuhës së urrejtjes. Problem vazhdon të mbetet ofrimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuara në ambientet ku subjektet politike kanë zhvilluar aktivitete të fushatës zgjedhore. Ndërkaq nuk ishte raportuar për ndonjë pengesë për mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që të vëzhgonin dhe të ndiqnin aktivitetet e fushatës.
Në kuadër të këtij raporti u tha se përfshihen një listë të rekomandimeve të cilat bazohen tek të gjeturat e vëzhgimit të fushatës zgjedhore. Këto rekomandime synojnë përmirësimin e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, respektimin e dispozitave ligjore në fuqi, si dhe krijimin e kushteve më të favorshme për grupet e margjinalizuara.
DnV po ashtu publikoi edhe të gjeturat nga monitorimi i mediave gjatë periudhës së fushatës. Mexhide Demolli-Nimani nga DnV, deklaroi që gjatë fushatës zgjedhore zyrtare (3 – 12 shkurt 2021), janë monitoruar mbulueshmëria e aktiviteteve të subjekteve të certifikuara politike në paraqitjet e tyre në televizionet nacionale, duke përfshirë kronikat zgjedhore dhe spotet reklamuese, tubimet e transmetuara drejtpërdrejtë dhe paraqitjet e drejtpërdrejta (livestreams) nga portalet. Në këto zgjedhje, DnV po ashtu ka monitoruar aktivitetet e subjekteve politike si dhe kandidatëve për kryeministër në Facebook, përmes platformën SentiOne.
Demolli-Nimani deklaroi që gjetjet kryesore nga monitorimi tregojnë se në televizionet e monitoruara, kanë dominuar subjektet e mëdha politike të cilat kanë pasur hapësirë si në kronika zgjedhore ashtu edhe në debate televizive. Hapësira mediale është karakterizuar me diskrepancë të theksuar midis kandidatëve burra dhe atyre gra. Në këto zgjedhje janë evidentuar 60 spote reklamuese në televizione, për të cilat ka munguar informacioni nëse kanë qenë të sponsorizuara.
Komisioni i Pavarur i Mediave gjatë këtyre zgjedhjeve u tha se ka shqiptuar vërejtje për pesë televizione për shkeljet e bëra nga to para fillimit zyrtarë të fushatës. “KPM po ashtu ka dënuar 8 televizione për shkelje ligjore gjatë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore, ku kishte shqiptuar dënime me vlerë nga 2000 euro deri ne 7500 euro. Gjatë monitorimit janë evidentuar 60 spote reklamuese të subjekteve politike të cilat janë më të gjata se 2 minuta, gjë e cila është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhje.” deklaroi ajo. Ndërsa, nga gjithsej 1,437 postime të monitoruara në Facebook, u potencua që vetëm gjashtë prej tyre kanë pasur përmbajtje që lidhen me pandeminë COVID-19.
Demokracia në Veprim ofroi gjithashtu rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor, të cilat duhet të adresohen përmes një reforme zgjedhore, e cila bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes dhe transparencës.
Rekomandimet të cilat i adreson raporti, përfshijnë sistemin zgjedhor, administrimin e procesit zgjedhor, trupat menaxhuese të zgjedhjeve, menaxhimit të zgjedhjeve në pandemi, votimin jashtë vendit, dizajnin e fletëvotimit dhe informimin e votuesve, fushatën zgjedhore, financimin e subjekteve politike gjatë fushatës, listën e votuesve, përfaqësimin gjinor dhe drejtësinë zgjedhore.