Persona të panjohur kanë gërvishtur dhjetë vetura në një garazh nëntokësor në Altstetten të Cyrihut. Në mesin e automjeteve të dëmtuara është edhe një që i takon Konsullatës së Kosovës në Cyrih.
Mediat zvicerane njoftojnë për “së paku një makinë të Konsullatës Kosovare”, ndërsa, i kontaktuar nga albinfo.ch një burim nga kjo konsullatë thotë se bëhet fjalë për vetëm një makinë. Ai shton se sipas njohurive të deritashme kjo nuk ka të bëjë me politikë dhe nuk lidhet me ndonjë qëllim të drejtuar kundër konsullatës.
“Policia ka qenë në vend të ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Por nuk duket të ketë ndonjë qëllim politik në këtë rast për arsyen e thjeshtë se kanë qenë një numër makinash që janë gërvishtur dhe jo vetëm e jona”, thotë për albinfo.ch zyrtari i Konsullatës.
Sulmi ka ndodhur në natën në mes të të premtes dhe të shtunës. Personat e panjohur kanë depërtuar në një mënyrë ende të panjohur në garazhin e mbyllur të një ndërtese në Eugen-Huber-Strasse 16b. Ata kanë gërvishtur dhjetë vetura, në mesin e të cilave ka pasur edhe makina luksoze, ka bërë të ditur policia e Cyrihut të dielën. Po ashtu është dëmtuar edhe një motoçikletë, dëmtuesit e të cilës kanë ikur të pavërejtur.
Garazhi nëntokësor i takon njërës nga ndërtesat në të cilën është vendosur edhe Konsullata e Kosovës. Policia thotë se ende nuk është e qartë nëse këto gërvishtje ishin të orientuara ndaj konsullatës.
Dëmet e shkaktuara llogariten në disa dhjetëra mijë franga.
Policia ka nisur hetimet dhe ka angazhuar Institutin Forensik për sigurimin e gjurmëve. (albinfo.ch)