Imazhi i keq që është krijuar për Kosovën para botës ka bërë që ajo, 20 vjet pas luftës, të mos ketë asnjë investitor strategjik, ka thënë Agim Demukaj, ekspert i ekonomisë. Prania civile dhe ushtarake e ndërkombëtarëve bën që Kosova të kualifikohet ende vend në krizë, andaj, sipas tij, është logjike që kjo t’i trembë investitorët.
Demukaj, i cili ka punuar për disa vite si ekspert i çështjeve ekonomike në Bankën Botërore në Kosovë, në intervistën për “Kohën Ditore” ka përmendur disa projekte madhore të cilat kanë dështuar, dhe për pasojë Kosova nuk është pjesë e hartës së investimeve.
Ka folur për ngecjet në realizimin e projekteve të parapara përmes kredive dhe rastet në të cilat institucionet financiare ndërkombëtare janë detyruar që të tërheqin mjetet që kanë paraparë për to.
Në intervistë ka folur edhe për resurset që Kosova mund të ofrojë për investitorët e huaj. Sipas tij, Kosova mund të krenohet për rininë, por jo edhe për përgatitjen profesionale të tyre. Ka thënë se Kosova ka tepricë të diplomave, por jo edhe të cilësisë, pasi, siç ka thënë, shumica e të diplomuarve në universitetet e Kosovës nuk janë të aftë për tregun e punës.
KD: Sa ka Kosova kapacitete për absorbimin e kredive dhe realizimin e projekteve?
Demukaj: Kosova për faktin se e ka ende prezencën e donatorëve është dëshmi se nuk i ka kapacitetet çfarë duhet t’i ketë. Banka Botërore nuk është e pranishme në vendet e zhvilluara të BE-së, por në vendet ku kapaciteti është gjithmonë më i ulët. Banka Botërore çdo vit bën analizën e kapaciteteve për absorbim dhe ajo në njëfarë forme është pjesë e formulës për alokim të fondeve.
Në bazë të kësaj, Kosova qëndron mbi mesatare, por është ende larg asaj që duam të jetë. Kjo shihet edhe tek implementimi i projekteve të cilat janë nënshkruar me kredi me Bankën Botërore ose me institucionet e tjera financiare, e të cilat kanë pasur ngecje.
Kur është investim kapital, është më lehtë. Ta zëmë e bën prokurimin e një shkolle dhe mjetet tërhiqen menjëherë. Por te projekti për energji efiçiente, aty ka çaluar implementimi dhe kjo derisa nuk është kryer procedura e prokurimit.
KD: Raportet e Qeverisë dhe të Auditorit të Përgjithshëm tregojnë për problemet që shfaqen në tërheqjen e kredive për projektet e parapara me marrëveshje. Në cilat pengesa kanë hasur institucionet financiare ndërkombëtare rreth këtyre kredive?
Demukaj: Pengesë kanë qenë procedurat e prokurimit. Institucionet ndërkombëtare i kanë procedurat e veta të prokurimit, të cilat janë të vlefshme për prokurim të punëve që financojnë ato. Këto e mbisundojnë Ligjin e prokurimit në Kosovë..