Dënimi i agresionit të Serbisë nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata verbale

Prishtinë | 20 Tet 2023 | 08:53 | Nga Ramadan Avdiu

Nga 24 shtatori, kur një grup i stërvitur për luftë, i armatosur rëndë, kryesisht me armë të prodhuara në Serbi, i nxitur dhe mbështetur nga strukturat e sigurisë së shtetit të Serbisë, ndërmorri agresion kundër shtetit të pavarur të Kosovës, me qëllim të krijimit të një gjendjeje sikurse e krijuan ushatarakët rusë në Krime në vitin 2014, zyrtarë të ndryshëm nga bashkësia ndërkombëtare, me deklarata të panumërta e kanë dënuar këtë akt të agresionit serb.

Deri më tash, dënimi i këtij agresioni është i përqëndëndruar vetëm në deklarata verbale…
Ndonëse Serbia në mënyrë të drejtëpërdrejtë e mori përgjegjësinë për këtë agresion dhe ndërmarrje kriminale e terroriste kundër Kosovës, duke shpallur ditë zie për terroristët e vrarë nga forcat e sigurisë së shtetit të Kosovës, zyrtarë të bashkësisë ndërkombëtare jo rrallë kanë deklaruar se po presin rezultatet e hetimeve për të ndërmarrë masa.

Serbia ka angazhuar të gjthë mekanizmat e saj politikë, institucionalë, diplomatikë e medialë dhe nëpërmes gënjeshtrave po orvatet ta krijojë dhe ofrojë versionin e saj për agresionin serb të 24 shtatorit.

Terroristët e arrestuar tashmë i kanë zbuluar pistat e hetimit. Të gjitha çojnë në Serbi. Tani gjërat janë shumë të qarta. Serbia ka përgjegjësi dhe për këtë akt agresioni duhet të dënohet…

Zyrtarët e institucioneve ndërkombëtare nëse nuk marrin për bazë rezultatat e hetimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, atëherë ata do të futen në lajthitje dhe do të vihen në pozita opurtuniste duke mos qenë të qartë në kërkesa ndaj Serbisë.

Kjo do ta trimërojë Serbinë që të vazhdojë me qasjen e saj për ruajtujen e status quo-s në njërën anë dhe të planifikojë veprime të reja agresive kundër Kosovës në anën tjetër. Këtë synim nuk e fshehin aspak shumë zyrtarë serbë.

Veprimi i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare, për ta shtrënguar Serbinë që të pranojë realitetin, ta njohë shtetin e Kosovës është i domosdoshëm. Kjo vendosmëri duhet të manifestohet më 21.10.2023, kur përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, do të shkojnë në Beograd për të takuar drejtuesit e Serbisë

Ata duhet të ua bëjnë të qartë presidentit të Serbisë Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij se, dialogu për naromalizimin e raporteve mes dy shteteve nuk ka alternativë. Por ky dialog mund të ketë kuptim dhe të përfundojë suksesshëm vetëm pas njohjes de fakto e de jure të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe aderimit të tij në institucionet relevante ndërkombëtare.

Vetëm pas njohjes së shtetit të Kosovës dhe integrimit të tij në mekanizmat ndërkombtarë, pjestarët e komunitetit të pakicës kombëtare serbe që jetojnë në Kosovë, do të integrohen realisht në jetën politike, publike e institucionale të shtetit të Kosovës dhe nuk do të mund të instrumetalizohen nga qeveria serbe në Beograd, siç ka ndodhur deri më tani.

Të ngjashme