Deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas shqiptimit të dënimeve për katër deputetët e VV’së. Për Molliqajn dënimi i Albin Kurtit, Donika Kadajt, Faton Topallit dhe Albulena Haxhiut është i padrejtë.
Molliqaj, i cili me Albin Kurtin ka ndarë plotësisht rrugët, e ka quajtur dënimin e tij si absurd dhe të padrejtë.
“Dënimi me kusht me rreth 5,5 vite i deputetëve Albin Kurti, Donika Kadaj, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu është sa i padrejtë po aq edhe absurd”, ka shkruar ish-sekretari organizativ i VV’së.
Ai ka treguar arsyet që, sipas tij, deputetët e VV’së u dënuan padrejtësisht.
“Është i padrejtë sepse këta deputetë e mbrojtën Republikën pikërisht kur ajo rrezikohej përmes Zajednicës dhe Demarkacionit”.
“Ndërsa, është absurd sepse vet Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Zajednica bie ndesh me dhjetëra nene të Kushtetutës sonë. Në anën tjetër, komisioni i ri shtetëror vërtetoi se marrëveshja për Demarkacionin ishte gabim”, ka shkruar më tej ai.
Molliqaj shton se “në vendin tonë sot po arrestohen e dënohen ata që e mbrojnë vendin, ndërsa po sillen të lirë ata të cilat çdo javë i shohim nëpër ballina të gazetave ndërkombëtare teksa flitet për krimin në Kosovë”.