Prokuroria Themelore pritet të kërkojë paraburgim për hetuesin e Policisë, V.V, lidhur me dyshimin për abuzim seksual dhe shantazh ndaj një vajze 16-vjeçare nga Komuna e Drenasit.
Siç parasheh ligji, për veprat penale të abuzimit seksual dhe shantazhit, të dyshuarit mund të dënohen me disa vite burgim.
Sipas nenit 341, të KPK-së, ku flitet për shantazhin, sqarohet se “kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanos personin tjetër se do të zbulojë diçka në lidhje me të apo personat e afërm të tij që do të dëmtojë nderin apo autoritetin e tyre dhe në këtë mënyrë e detyron personin e tillë të kryej apo të mos kryejë ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij apo të personit tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”
Ndërsa, në nenin 239 tregohet se “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin përveç nëse parashihet ndryshe në këtë kapitull, kushdo që e detyron personin tjetër të kryejë akt seksual në një ose më shumë prej rrethanave në vijim, dënohet me burgim prej një 1 deri në pesë vjet.”
Inspektorati Policor i Kosovës përmes rrugëve operative ka pranuar informacion anonime lidhur me dyshimet për kryerje të veprimeve të kundërligjshme nga një zyrtar policor – punonjës në stacionin policor në Drenas (me gradën e rreshterit).
Me të pranuar informacionin, hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore hetuesit e IPK-së kanë realizuar dje (05.02.2019) edhe një urdhëresë për bastisje në disa lokacione duke përfshirë shtëpinë e të dyshuarit, zyrën e tij në Stacionin Policor në Drenas dhe një ordinancë private (mjekësore).
Gjatë bastisjes janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Pas intervistimit të të dyshuarit (punonjësit policor me inicialet V.V) i njëjti është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin (e paraparë në nenin 239 të Kodit Penal).
Siç raportoi Insajderi të martën, 16-vjeçarja nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.
Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzënë.
Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.
Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar.