Dënohet me 21 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e policit në Skenderaj

Prishtinë | 18 Maj 2018 | 14:53 | Nga

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, i ka shqiptuar dënim unik prej 21 vjet burgim, Maliq Biringjikut, i cili akuzohej për vrasjen e policit Valon Goxhuli në Skenderaj, më 29 shtator 2015.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Halili, në shpalljen e aktgjykimit, tha se trupi gjykues pas mbajtjes së disa seancave gjyqësore, të akuzuarin Maliq Biringjiku, e shpall fajtor  për veprën penale “vrasje e rëndë”, për të cilën i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 20 vjetësh.

Po ashtu, i akuzuari Biringjiku është shpallur fajtor edhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilën është dënuar me dy vjet burgim, me ç’rast për këto dy vepra penale i është shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 21 vjetësh.

Ndërkaq,  trupi gjykues ka bërë të ditur se i akuzuari Maliq Biringjiku, është liruar nga akuza për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, ku ka mbetur i plagosur i dëmtuari Arsim Fejza.

Gjykatësi Halili, njoftoi palët prezente se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor pas pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndryshe, i akuzuari Maliq Biringjiku, ka qenë në vuajtje të paraburgimit nga 11 nëntori i vitit 2016.

I akuzuari Biringjiku, në seancën  e shqyrtimit fillestar  të mbajtur më  7 shtator 2017, nuk e ka pranuar fajësinë për veprat penale “vrasje e rëndë”, “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Maliq Biringjiku, është mbrojtur në heshtje dhe nuk ka pranuar të deklarohet për rastin, në seancën e mbajtur më 18 prill 2018.

Ndryshe, Maliq Biringjiku, akuzohej nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, se më 29 shtator 2015, në Komunën e Skenderajt, me dashje dhe me qëllim hakmarrjeje ka privuar nga jeta tashmë të ndjerin Valon Goxhuli, për vrasjen e mëhershme të Bekim Biringjikut.

Sipas prokurorisë, i akuzuari, këtë vepër e ka kryer përderisa viktima është ndaluar me veturë, ku së bashku me të ishin bashkëshortja e tij dhe shoku i tij, Arsim Fejza. Më pas, i akuzuari sipas prokurorisë, ka shtënë me pushkë automatike “AK-47”, duke qëlluar, tashmë të ndjerin, Goxhuli, të cilit i ishin shkaktuar gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave edhe kishte vdekur. Me këtë rast, i akuzuar gjithashtu kishte rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe kalimtarëve të rastit.

Me këtë, Biringjiku akuzohej të ketë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179  paragrafi 1  pika 1.5 dhe 1.8  të KPRK-së  e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Përveç kësaj, Biringiku akuzohet për kryerjen edhe të dy veprave të tjera penale “vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 179  i KPRK-së dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 të KPRK-së.

Vepra penale “vrasja e rëndë”, dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm sipas Kodit Penal të Kosovës.

Lidhur me rastin konkret, tashmë i ndjeri, Valon Goxhuli, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në maj të vitit 2015, nga akuza për vrasjen e Bekim Biringikut më 2 nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy.

Sipas aktgjykimit të shpallur atëkohë, nga gjyqtari Burim Ademi,  vrasja e Bekim Biringjikut nga polici Valon Goxhuli, ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme