Atij gjithashtu i është konfiskuar patenta e shoferit e kategorisë C1 për dy vjet pas vuajtjes së dënimit dhe, për ta rimarrë atë, do t’i duhet t’i nënshtrohet sërish testit të vlerësimit.
Bashkë me shpalljen e aktgjykimit dënues nga ana e gjyqtarit Mehmet Ndrecaj, të akuzuarit i është komunikuar se nga sot i është ndërprerë masa e sigurisë. Ai po qëndronte në paraburgim e arrest shtëpiak që nga 10 dhjetori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, Driton Asani akuzohet se më 10.12.2017 rreth orës 04:55, në rrugën Prizren – Gjakovë, pikërisht në fshatin Krushë e Vogël, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik.
Sipas aktakuzës, Asani duke drejtuar automjetin transportues, kur kishte arritur në vendin kritik, kishte ndërmarrë veprim pa u siguruar që mund t`i rrezikojë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, dhe si pasojë e veprimeve të tij kishte ardhur deri tek goditja e automjetit ‘’VW Golf’’ me automjetin transportues.
Aktakuza shpjegon se vetura e kishte goditur mjetin transportues në boshtin e rrotave të pasme në anën e majtë, dhe si pasojë drejtuesi i automjetit Adem Elshani si dhe pasagjeri i tij Gazmend Gashi, kishin vdekur në vendin e ngjarjes nga lëndimet trupore që kishin marrë.
Në seancën ku i akuzuari kishte dhënë deklaratën e tij rreth aksidentit kishte deklaruar se “ka ndodhur shpesh që të punojmë jashtë orarit të punës, ndërsa ditën kritike kur ka ndodhur aksidenti kam punuar rreth 30 orë pandërprerë”.