Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar 18 vite burgim unik ndaj të pandehurit Faton Brahimaj, i cili nga akuzohej se për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, privoi nga jeta tani të ndjerin B.B.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Shaqë Curri, i pandehuri është gjykuar me 17 vite burgim për vrasje, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 2 vite burgim, ashtu që pas shqiptimit të dënimit unik, i pandehuri u gjykua me 18 vite burgim.
Sipas këtij aktgjykimi, janë konfiskuar armët dhe municionet e propozuara si në aktakuzë dhe të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit.
Ndryshe, deri të dënimi i të pandehurit erdhi pasi i njëjti, në konsultim me mbrojtësin e tij, avokatin Gëzim Kollçaku, e pranoi fajësinë për vrasjen e të ndjerit dhe armëmbajtjet pa leje.
Kollçaku kërkoi që gjykata në rastin e shqiptimit të dënimit, të marrë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë dhe pendesën e tij të plotë dhe faktin se sipas deklarimit të pandehurit, avokati shtoi se i njëjti ishte provokuar nga tani i ndjeri.
Në anën tjetër, prokurori Agron Galani kërkoi që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Këtij deklarimi iu bashkëngjitën edhe mbrojtësi i viktimave, Demë Hasanaj dhe bashkëshortja e të ndjerit, të cilët theksuan se kompensimin e dëmit do të realizojnë në procedurë kontestimore.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 13 janar 2022, i pandehuri Faton Brahimaj më 24 prill 2021, në fshatin Novosellë të Pejës, për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, i pandehuri ka privuar nga jeta të ndjerin B.B, në oborrin e të ndjerit.
Sipas përshkrimit të aktakuzës, i ndjeri kishte qenë duke e thurë pronën e tij me tel dhe gjemba dhe deri i pandehuri Faton ishte duke dalë me kombi nga oborri i shtëpisë së tij, vije deri tek konflikti verbal mes të pandehurit Faton dhe të ndjerit lidhur me rrethimin e pronës, ku ishin dëshmitarë bashkëshortja e të ndjerit dhe dy fëmijët e tij të mitur.
Aktakuza përshkruan se i pandehuri Faton i thotë të ndjerit se “A po më pret këtu e t’i kryejmë krejt telashet, pritëm këtu”. Pas këtyre fjalëve, i pandehuri kthehet dhe merr në shtëpinë e tij pushkën automatike AK-47 dhe pasi del në rrugën e asfaltuar, fillon të shtie nga pushka automatike në drejtim të ndjerit, të cilën e ka goditur fillimisht me një predhë.
Në aktakuzë thuhet se më pas, i ndjeri kishte filluar të largohet me vrap në drejtim të oborrit të tij, mirëpo i pandehuri sërish shtie në drejtim të të ndjerit 12 herë dhe nga këto të shtëna, i ndjeri është goditur edhe me katër predha, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.
Me këtë, i akuzuari ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasja”, nga neni 172 të Kodit Penal.
I pandehuri ngarkohej për posedim të paautorizuar të armëve dhe atë të pushkës automatike AK-47 së bashku me 16 fishekë, një pistoletë pa tytë M57 me një karikator, një fishek manovrues, 827 fishekë të kalibrit të panjohur, 51 fishekë të kalibrit të panjohur me alfabet arab, këllëf i pistoletës dhe një mitraloz të rëndë.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.