Pas publikimit të videos, dënohet me 300 euro gjobë personi i cili zbrazi mbeturinat nga furgoni në një rrugë në Prishtinë

Prishtinë | 13 Shk 2024 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati i kryeqytetit ka dënuar me 300 euro një qytetar i cili shihet duke hedhur mbeturinat anash një rruge në Prishtinë.

Në njoftimin e bërë nga Inspektorati i kryeqytetit thuhet se qytetari po ashtu është detyruar të pastrojë hapësirën në të cilën kishte hedhur mbeturinat.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të veprimeve të papërgjegjshme të disa qytetarëve të cilët zbrazin mbeturinat kudo në kryeqytet, duke e ndotur ambientin por edhe duke e krijuar një imazh të shëmtuar të kryeqytetit. Inspektorati i kryeqytetit duke ndjekur ankesat e qytetarëve të shfaqura edhe në rrjete sociale, ka arritur të identifikojë personin si në videon e mëposhtme. Inspektorët kompetentë kanë gjobitur të njëjtin në vlerë prej 300 eurosh dhe e kanë detyruar të njëjtin që të pastrojë hapësirën në të cilën kishte hedhur mbeturinat”, thuhet në njoftim.

Videoja ishte publikuar për herë të parë në Ekonomia Online dhe kishte nxitur reagime të shumta të qytetarëve. Shumica prej komentuesve në faqen e Facebookut kërkonin gjobitjen e personit të papërgjegjshëm.

Sikur shihet në videon e dërguar në redaksinë e Ekonomia Online, një person ndalon furgonin skaj rrugës, në një zonë urbane, dhe fillon të hedh mbeturinat e ngarkuara.

Të ngjashme