Dënohet me burgim të përjetshëm i akuzuari për vrasjen dhe djegien e vëllait në Rahovec

Prishtinë | 08 Shk 2023 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Gjakovë –  Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Gani Kriezi, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllait të tij.

Kriezi akuzohej se në shkurt të vitit 2020, në fshatin Bërnjak të Rahovecit, me dashje e ka privuar nga jeta vëllanë e tij, tani të ndjerin B.K, e më pas e ka djegur trupin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Kriezi u shpall të mërkurën, nga kryetari i trupit gjykues, Drilon Haraçia.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Kriezi për veprën penale “Vrasje e rëndë” dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa për armëmbajtje pa leje me një vit burgim. Ndaj tij, u shpall dënim unik me burgim të përjetshëm.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.

Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqi, në emër të një borxhi.

Të ngjashme