Rastet e zyrtarëve komunalë të Gjilanit, të cilët nuk e respektojnë orarin e punës, do të përfundojnë në polici ngase kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka deklaruar se dëshmitë e qytetarëve, të cilët i fotografojnë zyrtarët komunalë duke qëndruar në kafene apo në restorante gjatë orarit të punës do të vlerësohen dhe konfirmohen nga hetuesia e policisë për vërtetësinë e tyre.
Pas vlerësimit dhe verifikimit të dëshmive të ofruara, atëherë kryetari i Komunës do të marrë masa, të cilat parashihen nëse ndonjë zyrtar nuk e ka respektuar orarin e punës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kreu i Gjilanit në një konferencë shtypi ka deklaruar se ende qëndron shpërblimi prej 100 eurosh për çdo qytetar, i cili i denoncon zyrtarët komunalë për mosrespektim të orarit të punës. Mirëpo dëshmitë që ofrojnë tek organet komunale më pas i përcillen policisë për vlerësim.
Ai ka thënë se deri tashti kanë pranuar 6 denoncime, prej të cilave raste një është verifikuar, ku një zyrtari komunal i është dhënë vërejtja me shkrim.