Anëtarët e komisionit për Shëndetësi kanë shprehur shqetësimin se qytetarët po konsumojnë barna pa cilësi, raporton Ekonomia Online.
Ky komision në mbledhjen e radhë në raportim kishte ftuar kryeshefin e Agjencisë për Produkte Medicinale të Kosovës (APMK), Jeton Shala.
Shala ka marrë shumë kritika për punë e Agjencisë, por edhe kontrollin e ilaçeve që hyjnë në Kosovë, sidomos nga Serbia.
Por ai u shpreh i bindur se ato kontrollohen. Kur foli për insulinën ai tha se insulina që përdoret është produkt similar dhe së është i njëjtë me insulinën humane që është kontraktuar para dy viteve.
“Produktet që hyjnë në të zezë nëse nuk kanë banderolë, atëherë janë produkte që nuk kanë prejardhje dhe nuk duhet përdorur nga pacientët në Kosovë dhe janë produkte që janë ilegale dhe për këto merren organet e rendit dhe drejtësisë”, shtoi Shala.
“Një nga përparësitë në krahasim me agjencitë në rajon është se ne kemi sistemin online përmes së cilit operatorët ekonomik nuk kanë nevoje të vijnë me prit në ren për dosjet e ndryshme dhe për çdo dorëzim të lëndëve bëhet pranimi online dhe është sistem me transparencë reale dhe dihet se kush e ka kontrollua lëndën, sa kohë e ka mbajtur etj”, tha Shala.
Kryetarja e këtij Komisioni, Besa Bafti tha se arsyeja e këtij takimi është që të diskutohet për barnat të cilat në mënyrë ilegale hyjnë në Kosovë dhe shumica prej tyre janë nga shteti i Serbisë.
“Në Kosovë ka barna që hyjnë pa banderolë dhe që janë prodhim i Serbisë, kjo është edhe arsyeja qe ne ju kemi ftuar, por edhe siç e dimë në javën e fundit për agjencionin tuaj flitet për keqpërdorim të mjeteve financiare dhe është duke u hetuar edhe nga policia e krimeve të rënda, por neve na intereson të dimë se çka është duke ndodhur tek agjensioni i juaj sa i përket këtij rasti”, tha Baftiu.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë që falsifikimi i barnave viteve të fundit është rritur shumë. Ai për këto raste ka thënë se janë parashkruar në gjykatë për shkak se falsifikimi i barnave në Kosovë dënohet maksimumi deri në tri vjet.
Antari i këtij komisioni, Naser Rugova tha se ka barna në Kosovë që shiten dhe janë pa substanca aktive dhe këto nuk e ndihmojnë shëndetin e pacientit por vetëm e dëmtojnë.
“Janë shumë raste kur në barna mungon substanca aktive dhe pacientet trajtohen jashtë vendit, një rast qe e di është që në Suedi kur janë analizuar medikamentet tek pacienti që ato barna i ka marr në Kosovë, kanë ardhur në përfundim që në to ka pasur mungesë të substancës aktive në barna”, tha Rugova.
Ndërsa, anëtarja tjetër Fatmire Çollaku tha pacientët kosovarë të njëjtin produkt medicinal dalin jashtë vendit të blejnë sepse nuk kanë besim në barnat që shiten brenda vendit, raporton EO.
“Ngritja e kapacitetit të laboratorit është e domosdoshme dhe nëse ka aparate të duhura atëherë vet kontrollohet substanca aktive sepse ne duam ta dimë ato barna që ne blejmë a kanë substance aktive apo vetëm na bëjnë dëm tek shëndeti”, shtoi Çollaku.
Kryeshefi Shala është ankuar se nuk ka pasur mbështetjen e Qeverisë për rritjen e numrit të punësuarve.
“Kemi mungesë të madhe të punëtorëve dhe shërbyeseve civil, duhet të kemi të paktën edhe 2 punëtor shtesë, duhet me qenë 49 punëtorë dhe jemi 7 minus dhe kjo na krijon vështirësi të mëdha dhe secili punëtor merret me dy tre punë më shumë se sa duhet”, tha Shala.
Por deputeti i NISMA-s, Enver Hoti tha se APMK ka keqpërdorur punësimet.